Eksploziv, demokratit në Ungrej, Metaliaj: Dyshime për hakmarrje politike

Lindita Metaliaj, deputetja e PD në qarkun e Lezhës, ka dyshime të forta se dëmtimi me eksploziv i shtëpisë së kreut të PD në fshatin Ungrej, mund të jetë një hakmarrje politike. Në shënimin e saj sot në Fb, nisur nga faktet, znj. Metaliaj gjykon:

"Një shpërthim me eksploziv rreth orës 2 pas mesnatës, ka dëmtuar keqas shtëpinë e Preng Ndue Pjetrit, kryetar i PD në fshatin Ungrej. Z. Pjetri ka qenë në banesë me bashkëshorten dhe nënën e moshuar kur ka ndodhur shpërthimi.

Akti terrorist i mesnatës të bën të dyshosh për pistën e hakmarrjes politike. Takimi entuziast në Lezhë i kryetarit të PD Sali Berisha në prezantimin e kandidatit për kryetar bashkie, Pashk Gjoni, ku ka marrë pjesë edhe kryetari i seksionit Ungrej Pjetri, me shumë bashkëfshatarë, ka angazhuar me sulme verbale shumë patronazhistë e aktivistë të Rilindjes dhe të emëruarit 6 % në krye të bashkisë Lezhë. Dhuna verbale pasohet gjithmonë nga dhuna materiale.

Ndërkohë që nuk duam të arrijmë në përfundime, i bëjmë thirrje Policisë dhe strukturave ligjzbatuese të bëjnë punën e tyre, të hetojnë dhe të çojnë pas hekurave si dorasët ashtu dhe porositësit e këtij akti terrorist.

E dënojmë burracakërinë e vendosjes së eksplozivit në shtëpinë e z. Pjetri, një akt kundër ligjeve të shtetit dhe Kanunit të maleve. Demokratëve dhe qytetarëve të Lezhës u bëjmë thirrje të mos kenë frikë. Ata që duan të mbjellin panik janë në panik nga humbja e sigurt me 14 maj, dhe atë ditë do të marrin edhe përgjigjen që meritojnë nga vota juaj," përfundon znj. Metaliaj. 

Pamjet nga shtëpia e dëmtuar: