SYRI TV/ Detaje të reja për mega-mashtrimin miliarda euro, BIRN: Josifi, këshilltar i Xhaçkës për NATO-n
Ish-këshilltari i Olta Xhaçkës dhe ortaku i Olsi Ramës në biznes, Amant Josifi është shtylla operative e një rrjeti kriminal ndërkombëtar të mashtrimit me Call Center-a. Nga investigimi i kryer nga agjencia BIRN, rezulton se Amant Josifi krijoi tre kompani Call Center-ash, nëpërmjet të cilave u janë zhvatur miliarda euro qytetarëve europianë
SYRI TV
Detaje të reja dalin në dritë për rrjetin e mashtrimit të qytetarëve europianë nga Call Center-at në Shqipëri, të cilëve u janë zhvatur miliarda euro.
Agjencia BIRN publikoi një investigim që tregon se ky mashtrim me vlerë prej miliarda eurosh ka në qendër një ish-zyrtar të qeverisë shqiptare.
Bëhet fjalë për Amant Josifin, i cili sipas BIRN, u bë shtylla operative e një rrjeti kriminal ndërkombëtar, i cili mashtroi gjatë pesë viteve qindra-mijëra viktima në të gjithë Evropën, duke u zhvatur miliarda euro.
Europol dhe Eurojust organizuan një operacion për të goditur këtë rrjet kriminal, por në prangat e policisë nuk ra Amant Josifi, edhe pse ishte shpallur në kërkim nga autoritetet spanjolle.
Procedurat hetimore të realizuara në Shqipëri nëpërmjet letër-porosisë së dërguar nga autoritetet spanjolle, kanë zbuluar 10 qendra thirrjesh të lidhura me 24 platforma mashtruese të investimeve.
Sipas dokumenteve të SPAK, të para nga BIRN, mbas tre kompanive kryesore mashtruese qëndron biznesmeni 33-vjeçar, Amant Josifi.
Sipas profilit të botuar në një faqe personale interneti, Josifi ka shërbyer deri në vitin 2020 si këshilltar për NATO-n i ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila mban tani funksionin e Ministres për Punët e Jashtme dhe Evropën.
Edhe në faqen e tij në rrjetin social “LinkedIn”, Josifi prezantohet si këshilltar i Ministrit të Mbrojtjes.
Në vitin 2014, Josifi ka themeluar së bashku me vëllanë e kryeministrit, Olsi Rama dhe biznesmenin Endri Meksi, kompaninë Pegasus Communications Shpk.
Ai i ka shitur aksionet e tij në këtë kompani në vitin 2018. Në faqen e tij biografike në internet, Josifi e prezanton veten si djali i një biznesmeni, i arsimuar në Francë për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare, shkruan BIRN.