SYRI TV/ Aksidenti tragjik i 28-vjeçares në Kavajë, qytetarët plotësojnë privatisht sinjalistikën
Pak ditë pas aksidenti tragjik që i mori jetën një 28-vjeçareje në Kavajë, qytetarët kanë vendosur sinjalistikë rrugore në kthesën e rrezikshme. Besnik Nova thotë se në këtë vend kanë ndodhur disa aksidente, por nga ARRSH kurrë nuk janë marrë masa për vendosjen e sinjalistikës që do të parandalonte aksidentet e rrezikshme.
Nga SYRI TV
Pak ditë më parë, në këtë rrugë në Kavajë humbi jetën 28-vjeçarja Rovena Cara, nënë e një fëmije të mitur. Dyshohet se 28-vjeçarja humbi kontrollin e mjetit në këtë kthesë, duke u batuar në një kanal me ujë.
Por siç shihet, vendi ku ndodhi aksidenti nuk ka asnjë element të sigurisë rrugore. Mungojnë tabelat sinjalizuese apo barrierat mbrojtëse.
Në të tilla kushte, kur shteti nuk merr masa as kur humbin jetën qytetarët, kanë menduar vetë banorë të Kavajës për të rritur sigurinë në rrugë.
Besnik Nova, pas aksidentit tragjik, ka vendosur disa goma me inerte në kthesën e rrezikshme, për të parandaluar aksidente të tjera.
Nova shprehet se segmenti ku ndodhi aksidenti, është tepër problematik, por asnjëherë nuk janë marrë masa nga ARRSH.