Meta takon Berishën: Aleancë e jashtëzakonshme, më 15 maj shumica e kryetarëve i përket opozitës

Ka përfunduar takimi i Kryetarit të Partisë së Lirisë, z. Ilir Meta me kryetarin e PD, z. Sali Berisha në selinë blu, takim që ka zgjatur rreth një orë.

Z. Meta ishte i shoqëruar nga z. Petrit Vasili dhe në dalje tha për mediat se janë takime në kuadër të koordinimeve për zgjedhjet vendore të 14 majit.

"Ne jemi në prag të fushatës dhe këto takime janë normale, - tha kreu i PL, -  në kuadër të bashkëpunimit tonë dhe të kësaj aleance të jashtëzakonshme të të gjithëve për ndryshim. Në datën 15 maj, shumica e kryetarëve i përket Ndryshimit dhe Opozitës së Bashkuar dhe pa asnjë diskutim, edhe shumica dërrmuese e këshillave bashkiakë do t’i përkasë opozitës”, tha ai.

Takimi vjen në përfundim të afateve të regjistrimit të koalicioneve partiake për zgjedhjet vendore të 14 majit, dorëzimit të dokumenteve në KQZ, pasi data 15 mars është data përfundimtare kur partitë politike duhet të dorëzojnë formulën e tyre dhe me kë do të jenë në  koalicion.