Ku gabon Çim Peka dhe ‘Hijet’ pa hije…

Në portalin e Çim Pekës, u shfaq dje një shkrim, ku edhe unë, isha një nga “Hijet” që po merrja “kthesë”, sipas artikullshkruesit pa emër, por dukshëm editorialisht i mbështetur te Syri.net. Një “Hije” edhe unë pra, që në rrethanat e krijuara, po “braktisja” Lul Bashën, sepse të njejtën gjë, “po bënte edhe Ilir Meta”.

Fillimisht nuk e kuptova këtë shkrim dhe e mora për lajthitje. Por më pas i dhashë karar, që Çimi, kolegu im impulsiv apo ndoshta dikush tjetër, mbase është mërzitur për qëndrimin e 360grade.al, në lidhje me deklaratat e Ministrit të Jashtëm Gjerman, Gabriel.

Në fakt analiza ime nuk kishte lidhje me Çimin, por me disa deklarata emocionale, në adresë të Ministrit të Jashtëm Gjerman, që u shfaqën në disa portale dhe që e dëmtojnë shumë PD, sipas meje. Sepse Gjermania është dhe do të mbetet një aleat i rëndësishëm, i Shqipërisë, i shqiptarëve, por edhe i Partisë Demokratike. Padyshim, deklarata e Gabriel, është një “sukses” i diplomacisë së Ramës, por nuk duhet të jetë demoralizuese për Çadrën Opozitare, deri në shkallën sa të bëhet më emocionale, se sa është e lejuar në kodin politik ndërkombëtar.

Por, do të doja të rikthesoja publikisht, se, pamvarsisht goditjes ballore që ju dha protestës nga diplomacia gjermane apo pamvarsisht se çfarë bën Meta me Ramën, darkojnë apo mbajnë mëri, ndahen apo bashkohen përsëri, qëndrimi im, në lidhje me keqqeverisjen Rama dhe me rrezikun që u kanoset Zgjedhjeve politike nga Rama, nuk ndryshon dhe nuk ka se si. Sepse unë mendoj dhe gjykoj gjithashtu se protesta e Bashës është mëse legjitime. 
Çimi, darkon dhe drekon më shpesh se sa unë, me aktorët më të rëndësishëm të këtij vendi, të të gjithë niveleve, përfshirë këtu edhe me Ilir Metën dhe kjo është e drejta e tyre, sepse ata janë miq të vjetër. Mirëpo kjo, nuk e përligj kolegun Peka, të paragjykojë, thjesht sepse ashtu i vjen, Portalin 360grade.al, të drejtuar nga unë.

Një gjë duhet të sqaroj, unë nuk jam i rreshtuar me Opozitën dhe me Partinë Demokratike, por unë, në mënyrë modeste, për aq sa përfaqsoj dhe për aq sa më lexojnë, jam në Opozitë me kryeministrin aktual. Por për këtë, unë kam kriteret e mia profesionale. Të jesh në Opozitë, nuk do të thotë që gjithshka është e zezë te kundërshtari, dhe nga ana tjetër, jo gjithshka shkëlqen vetëvetiu, vetëm sepse është në opozitë, te Opozita. 
Reagimi i disave, për qëndrimin gjerman, qëndrim zyrtar i Shtetit Federal ky, ishte i pabalancuar dhe i dëmshëm. Sepse u jep argumenta, raportuesve të të gjitha llojeve pranë Qeverisë Gjermane, që të bëjnë interpretime, në dëm të qëllimeve dhe strategjive opozitare shqiptare.

Gjithësesi, dua të qetësoj Çimin dhe ata që e mendojnë si ai, në mënyrë të nxituar, se unë vijoj të mendoj që: Qeveria Teknike përpara Zgjedhjeve, do të ishte një zgjidhje e mençur dhe e duhur, për të shmangur sadopak bandat dhe banditët e drogës, nga Zgjedhjet Politike shqiptare.
Por e mirëkuptoj Pekën, ngase tensioni është shumë i madh. Deri tash, nga Qeveria e sotme, më kanë ardhur vetëm kërcënime direkte dhe indirekte, nga qenëria lehëse e dorës së dytë, e oborrit kryeministror, por vetëm kaq.

As premtime, as joshje dhe as, Zot na ruaj, të tjera gjëra.
Prandaj Çim, mendoj se, pamvarsisht njeri-tjetrit, dhe secili në mënyrën e vet dhe në “llogore” të ndryshme, do të jemi në Opozitë me këtë kryeministër kaq problematik, kaq ambicioz dhe prej ambicies së pa fre, kaq të rrezikshëm. /360grade.al/