Kishin planifikuar të destabilizonin Moldavinë, shkatërrohet rrjeti i mbështetur nga Rusia! Arrestohen 54 persona

Policia e Moldavisë ka shkatërruar një rrjet që përbëhej nga grupe të mbështetura nga Rusia, të trajnuar për të shkaktuar trazira gjatë një proteste kundër qeverisë.

Lajmin e kanë bërë të ditur mediat e huaja, sipas të cilave një agjent i fshehtë depërtoi në grupet e tyre, mes mes të cilëve kishte edhe shtetas rusë, të cilëve u ishin premtuar 10,000 dollarë për të krijuar “rrëmujë masive”, për të destabilizuar Moldavinë.

Këto të dhëna i bëri publike kreu i forcës policore të Moldavisë në një konferencë shtypi.

Viorel Cernauteanu tha se shtatë persona u arrestuan. Policia tha se 54 protestues u arrestuan dhe u regjistruan katër kërcënime me bombë.

Protesta e sotme ishte një nga seria e protestave të mbajtura kundër qeverisë së re properëndimore, e organizuar nga e ashtuquajtura Lëvizja për Popullin.

Grupi mbështetet nga Partia Shor, miqësore me Rusinë, e cila mban gjashtë vende në legjislaturën e Moldavisë dhe drejtohet nga një oligark i sanksionuar nga Mbretëria e Bashkuar.

Protestuesit kanë kërkuar që presidentja Maia Sandu të japë dorëheqjen, duke kërkuar që qeveria të paguajë për faturat e energjisë dimërore dhe që ata të mos e përfshijnë vendin në luftë.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane paralajmëruan më parë se aktorët e mbështetur nga Rusia do të përdornin protestat për të nxitur një kryengritje në Moldavi.

Policia kufitare e Moldavisë tha gjithashtu se një “përfaqësuesi të mundshëm” të grupit paraushtarak të Rusisë, Wagner iu mohua hyrja në vend javën e fundit.