'Piranjat' zbulojnë skandalin e bashkisë Pukë, banesat sociale i marrin zyrtarët dhe i kthejnë në biznes

Piranjat kanë zbuluar një skandal të bashkisë Pukë, ku banesat sociale u janë dhënë familjarëve të këshilltarëve bashkiakë, ndërsa një prej këtyre objekteve është kthyer edhe në biznes. Ligji parashikon se banesat sociale i jepen familjeve të pastreha dhe nuk mund të lëshohen me qira, por në Pukë, ky ligj nuk është zbatuar.

SYRI TV

Emisioni “Piranjat” në Syri Televizion ka denoncuar një skandal të bashkisë Pukë. Në vitin 2018 Enti Kombëtar i Banesave dhe bashkia Pukë kanë ndërtuar një bllok banesash sociale, për t’iu dhënë familjeve të pastreha.

Njëra prej vilave jepet me qira ditore për turistët nga përfituesi, paavrësisht se ligji nuk e lejon diçka të tillë.

Piranjat kanë rezervuar këtë objekt për një natë dhe janë përballur edhe me personin I cili ka përfituar këtë banesë si I pastrehë dhe e ka kthyer në biznes.

Por skandali thellohet më shumë, kur zbulohet lista e përfituesve, të cilët kanë lidhje familjare me zyrtarët e Bashkisë Pukë.

Është vetë kryetari i këshillit bashkiak, i cili i ka dhuruar djalit të tij një nga banesat sociale.

Përvetësimin e banesave sociale për familjarët e anëtarëve të këshillit bashkiak, kryetari i bashkisë Pukë ka vendosur ta anashkalojë.

Nga këto objekte kanë përfituar edhe persona të cilët nuk jetojnë në Shqipëri, ndërsa vetë përfituesit pranojnë se nuk kanë qenë të pastrehë.

“Është me shoqëri kjo punë. Këtu jemi të gjithë me rroga, e dy makina. Unë e kam shtëpinë shumë të bukur në fshat”- tha ajo me krenari.