Për 4 muaj, deputetët e Listës Serbe nuk morën pjesë në asnjë seancë të Kuvendit

Betimin e realizuan në kohën kur serbët e tjerë po lëshonin institucionet. Megjithatë sikur ata që dhanë dorëheqje, e sikur deputetët, punë nuk po kryejnë asnjëra palë. Deputetët e Listës Serbe po paguhen, por pa shkuar asnjëherë nëpër seanca.

Që nga muaji nëntor kur nëntë deputetë të Listës Serbe u betuan në Kuvendin e Kosovës, ata nuk janë parë më asnjëherë në seanca. Edhe pse s’kanë punuar, ata e kanë marrë pagën bazë nga Parlamenti, duke mos llogaritur mëditjet e seancave e komisioneve.

Duke shfrytëzuar hapësirat ligjore, deputetët e Listës Serbe po e bojkotojnë institucionin më të lartë të vendit. Kjo për Institutin Demokratik të Kosovës është një praktikë që duhet të ndalet.

Hulumtuesi Arbër Thaçi nga KDI ka thënë për gazetën Nacionale se rregullorja e re nuk parasheh ndonjë dënim, përveç marrjes së mandatit nëse deputeti nuk merr pjesë në asnjë seancë për gjashtë muaj.

“Rregullorja e re e Kuvendit, pjesëmarrjen e deputetëve në punimet e Kuvendit e vlerëson si detyrim të obligueshëm dhe kategorik. Pika 2 e neni 22, që shpjegon përgjegjësitë e deputetëve, përfundon se: ‘deputeti ka për detyrë dhe obligim që të marrë pjesë në punimet e Kuvendit’. Mirëpo, në rrethana të tilla, duke njohur mundësinë e bojkotit si një mjet politik, rregullorja nuk ka parashikuar ndonjë dënim të ndërmjetëm, përveç situatës së plotësimit të periudhës 6 mujore të mungesave të pandërprera, kur deputetët plotësojnë kushtin për humbjen e mandatit të tyre”, ka thënë Thaçi për gazetën Nacionale.

“Rregullorja në përcaktimin e rrethanave dhe kushteve, në të cilat deputetët humbin mandatin shërbehet me arsyetimet e dhëna në Kushtetutën e Kosovës - më konkretikisht tek Neni 70 i Kushtetuës, përmbajtja e cilit sqaron se deputetit mandati i humbur mund t’i shpallet në rast të mungesave për 6 muaj rresht në seancat e Kuvendit. Meqë as Rregullorja e re dhe as Kushtetuta, nuk sanksionojnë ndonjë veprim të natyrës së ndërmjetme, që në këtë kontekst, mund të ishte ndëshkimi për mungesa të paarsyetuara për një kohë më të shkurtër sesa periudha 6-mujore; pa plotësuar kriterin e mungesës 6-mujore, karrshi tyre, nuk mund të veprohet me ndonjë masë ‘ndëshkimore’”, ka thënë më tutje ai.

Nga hulumtimet e Institutit Demokratik të Kosovës është vërejtur se janë edhe dy deputetët të tjerë nga minoritetet, që kanë bojkotuar në vazhdimësi seancat.

“Po ashtu, shqetësuese mbetet qasja e ndjekur nga dy deputetët e tjerë të komuniteteve, Adem Hodza nga Partia Gorane dhe Fadil Gashi nga Iniciativa Rome, të cilët, pa shpjeguar në publik motivet e bojkotit të tyre, janë duke bojkotuar punën parlamentare për më shumë se 7 muaj, me vetëm një seancë të ndjekur”, ka përfunduar Arbër Thaçi për gazetën Nacionale.

Deputetët e Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje në kohën kur vendosën t’i braktisin të gjitha institucionet pas situatës së krijuar me tensionet në veri e problemet me targa. Aso kohe, u planifikua që deputetët e Listës Serbe nuk do të pranonin mandatet, atëherë postin e deputetit do ta merrnin serbët nga partitë e tjera.

Duke parë këtë mundësi, deputetët e ri të Listës Serbe u paraqitën në seancë dhe u betuan për të marrë mandatin. Që nga atëherë, asnjëri nga serbët nuk është parë në asnjë prej seancave. Në nëntor kur edhe u bë betimi, Lista Serbe e kishte vlerësuar këtë si vendim strategjik për ta parandalur kryeministrin Kurti.

Përfitimet nga Kosova dhe Serbia

Gazeta Nacionale ka raportuar javë më parë për përfitimet që kanë zyrtarët e lartë të Listës Serbe nga Kosova dhe Serbia. Shumica prej tyre marrin paga nga të dyja shtetet, për punët që i kryejnë në Kosovë.

Ish-deputeti Igor Simiq në Agjencinë KundërKorrupsion ka deklaruar edhe një rrogë 15 mijë e 500 euro në vit që e merr nga Serbia. Kjo si kryetar i Drejtorisë në Beograd në Fondin për Sigurime Pensionale. Simiq gjithashtu merr 2 mijë e 400 euro në vit si Asistent në Fakultetin Ekonomik.

Jasmina Dediq një tjetër deputete e dorëhequr nga Kuvendi, vazhdon të marrë rrogë si Këshilltare për Arsim në Administratën Arsimore në veri. Ajo paguhet 12 mijë euro në vit, apo 1 mijë euro në muaj.

Zoran Mojsiloviq tjetër deputet i dorëhequr nga Lista Serbe ka edhe dy funksione tjera për të cilat paguhet nga Serbia. Ai është punëtor sportive në Qendrën Sportive në Veri për të cilën nuk e ka deklaruar rrogën. Kurse, 11 mijë e 345 euro në vit Mojsiloviq i merr si Asistent në Fakultetin e Sportit në Leposaviq.

Verica Çeraniq gjithashtu e larguar nga Kuvendi i Kosovës, vazhdon të marrë pagë prej 1 mijë e 400 euro në muaj si ekonomiste në Shërbimin Kombëtar të Punësimit. Pagë të cilën e merr nga Serbia, e nga ku ishte paguar edhe sa ishte deputete.

Milijana Nikoliq vazhdon të paguhet si Specialiste e Anesteziologjisë në Qendrën Spitalore Klinike në Veri. Ajo merr pagë nga Serbia prej 16 mijë e 200 euro në vit.

Deputeti tjetër i Listës Serbe Millosh Peroviq, paguhet gjithashtu nga Serbia me 8 mijë e 238 euro në vit. Kjo pasi punon si zyrtar në Administratën Komunale në Zubin Potok.

Dragana Antonjeviq deputete e Listës Serbe gjithashtu merr 12 mijë euro në vit nga Serbia, si këshilltare për arsim në pjesën veriore të vendit.

Me paga të dyfishta deri më tash kanë qenë edhe udhëheqësit e komunave në veriun e vendit. Ata janë paguar edhe nga Kosova e Serbia. Tash pas dorëheqjes, të njëjtit do të paguhen vetëm nga Beogradi.

Zoran Todiq kryetari i dorëhequr i Leposaviqit paguhet 11 mijë euro në vit si Kryetar i Autoritetit të Përkohshëm të Leposaviqit.

Milan Radojeviq kryetari i dorëhequr i Mitrovcës së Veriut do të vazhdojë të marrë pagë nga Serbia. Ai paguhet 12 mijë euro si Drejtor i Fondit të Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore në Mitrovicën e Veriut.