‘Fantazma’ nuk shfaqet: Basha ka dhënë dorëheqje, por nuk ka ikur...
Grupimi i Enkelejd Alibeajt iu përgjigj sot Komisionerit të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në lidhje me regjistrimin e Partisë Demokratike.
Kur pritej që ‘fantazma e Lulzim Bashës’ të shfaqej publikisht, siç paralajmëronte portali i Brukselit, EurActiv, në KQZ ka mbërritur një shkresë qesharake.
Aty thuhet se Lulzim Basha ka dhënë dorëheqje si kryetar i PD-së, por kjo dorëheqje nuk është regjistruar në gjykatë.
Në mënyrë po qesharake, theksohet se dorëheqja është fakt, por nuk është fakt ligjor.
“Për shkak se dorëheqja e kryetarit është fakt, edhe pse nuk është pasqyruar në regjistrin e partive politike, për shkak të moszgjedhjes së kryetarit të ri të Partisë Demokratike të Shqipërisë, në kuptim të ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000 "Për partitë politike", i ndryshuar, funksionimi i Partisë Demokratike për aspektet që kanë të bëjnë me zgjedhjet vendore realizohet sipas "Autorizimit të Përgjithshëm" të datës 18 mars 2022", thuhet në letër.
Ky dokument i shtohet listës së talljeve që Basha dhe Alibeaj bëjnë me siglën e Partisë Demokratike.
Ata thonë se nuk kanë ndërmend të dorëzojnë dokumente shtesë, edhe pse Celibashi kishte lënë një afat prej 48 orësh për këtë çështje.
Kujtojmë se kreu i opozitës, Sali Berisha, e ka akuzuar dyshen Basha-Alibeaj se po mbajnë peng siglën e PD-së për llogari të Edi Ramës.