Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan shpall zgjedhjet më 14 maj

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili po kërkon të zgjasë dy dekadat e tij në pushtet, ka caktuar zyrtarisht datën e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të vendit për më 14 maj. Është një muaj më shpejt se sa ishte planifikuar, pavarësisht ndërprerjeve masive dhe humbjeve të jetës për shkak të tërmetit shkatërrues të muajit të kaluar .

Zgjedhjet mund të jenë vota më domethënëse e vendit në dekada. Ajo do të përcaktojë nëse vendi do të marrë një rrugë më demokratike apo do të vazhdojë në kursin gjithnjë e më autoritar të vendosur nga politikani i fortë, shkruan Euroneës.

Erdogan e ka qeverisur Turqinë që nga viti 2003, fillimisht si kryeministër dhe më pas si president që nga viti 2014, por zgjedhjet e këtij viti mund të jenë më të vështira për të.

Në fillim të kësaj jave, partitë e ndryshme opozitare të Turqisë, duke përfshirë nacionalistët, islamistët dhe konservatorët, i dhanë fund muajve të pasigurisë që kishin frustruar mbështetësit e bllokut anti-Erdogan dhe emëruan një kandidat të përbashkët për të kandiduar kundër Erdoganit.

Gjashtë partitë opozitare, të cilat janë zotuar të frenojnë gërryerjen e të drejtave dhe lirive, u bashkuan tek Kemal Kilicdaroglu, lideri 74-vjeçar i Partisë Popullore Republikane të qendrës së majtë, laike.