SYRI TV/ Subvencionet, Shqipëria 3,3 miliardë lekë, tri herë më pak se Kosova

Shqipëria do të subvencionojë fermerët tri herë më pak se Kosova këtë vit. Por, ndonëse jep më pak para për bujqësinë dhe blegtorinë, Ministria e Bujqësisë vendos kritere penalizuese, duke bërë që shumë blegtorë dhe fermerë të mos përfitojnë ndihmë financiare. Fermerët dhe ekspertët tregojnë se këto kritere po bëjnë që blegtoria të dështojë si sektor.

Nga SYRI TV

Kriteret e Ministrisë së Bujqësisë për subvencionet, e bëjnë blegtorin Mili Tole të mos kualifikohet për të përfituar ndihmë financiare nga shteti. Sipas fermerit nga Zharrëza, ai ka vetëm 25 krerë dhi, ndërsa për të përfituar subvencione nga qeveria, duhet të kesh jo më pak se 100 krerë.

Kosova do të japë 100 milionë euro subvencione për fermerët këtë vit, ndërsa Shqipëria vetëm 28 milionë. Vetëm në sektorin e blegtorisë, Shqipëria subvencionon disa herë më pak se Kosova, ndërsa vendos kritere penalizuese për blegtorët.

Për ekspertin e bujqësisë Ervin Resuli, kriteret penalizuese për fermerët por edhe ndihma e paktë që ata marrin, ka bërë që blegtoria të shkojë drejt kolapsit.

Fermeri Rexhep Lalaj nga fshati Sheq, tregon për Syri Televizion se një vit më parë përfitoi subvencion karburanti, por këtë vit nuk ka siguri ende nëse do të përfitojë.

Aplikimet për subvencione në bujqësi do të nisin në datën 28 mars.

SKEMA E SUBVENCIONEVE

Shqiperia                                     Kosova

Lopë 10 mijë lekë                   Lopë  90 euro

Dele   12 mijë lekë                  Dele   25 euro

Dhi    12 mijë lekë                   Dhi    25 euro

                                               Viça   25 euro