Krasniqi i shpreh Lajçakut, rezervat e PDK për marrëveshjen me Serbinë: E pamjaftueshme!
Prishtinë - Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas takimit me Të Dërguarin e BE për Dialogun, Miroslav Lajçak, ka njoftuar në Fb se i ka shprehur emisarit, dyshimet dhe rezervat e PDK për këtë marrëveshje.
Krasniqi tha: "Në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës sot prita të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak. Bashkë diskutuam për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe rajon, posaçërisht për propozimin tashmë të dakorduar evropian mes Kosovës dhe Serbisë.
Emisarit Lajçak ia ripërsërita qëndrimin tim dhe të PDK-së dhe rezervat që kemi në raport me këtë marrëveshje, e cila, sipas nesh, është e pamjaftueshme dhe mundësi e humbur për një progres final, të cilin e kishim pritur të gjithë.
Për dy vjet ne kemi mbështetur Kryeministrin Kurti në raport me dialogun me Serbinë dhe e kemi inkurajuar që të angazhohet në këtë proces. Fatkeqësisht, neglizhenca e tij, mosdakordimi me partnerët ndërkombëtarë kur duhej, kokëfortësia e tij për të dëgjuar propozimet e opozitës, përfshirë pesë pikat tona të deklaruara edhe në Washington, Bruksel e Kuvend të Kosovës – janë arsyet kryesore që sot kemi një marrëveshje e cila nuk i realizon kërkesat, nevojat dhe qëllimet shtetërore të Kosovës.
Kjo marrëveshje, duhet thënë qartë, heqë dorë prej arritjes së njohjes së ndërsjellë. Kryeministri Kurti e ka keqpërdorur legjitimitetin qytetar për t’i bërë një dëm afatgjatë Kosovës, duke ia zvarritur në pafundësi konfliktin e ngrirë me Serbinë.
Përfundimisht, sot, ne kemi përpara një transformim të marrëveshjes së paralajmëruar dhe kërkuar nga ne dhe partnerët ndërkombëtarë për vite me radhë, nga një marrëveshje finale me njohjen e ndërsjellë në qendër, në marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër.
Dhe, të gjithë ne, i dijmë pasojat që mund të sjellë një status-quo e tillë e re në aspektin e integrimit dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë OKB-në.
Sot, ne nuk kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Sot, ne nuk kemi një marrëveshje finale. Sot, ne nuk kemi njohje të ndërsjellë. Sot, kemi një marrëveshje të përkohshme. Sot, kemi nene të caktuara në marrëveshje që rrezikojnë të shkojnë përtej Kushtetutës së Republikës së Kosovës," përfundoi Krasniqi.