Macron dhe Sunak përpiqen të rregullojnë marrëdhëniet në samitin e Parisit
Udhëheqësit e Britanisë dhe Francës shtrënguan duart dhe pozuan pak për fotografët duke buzëqeshur, të premten në mëngjes, kur Rishi Sunak mbërriti në pallatin presidencial në Paris për një takim me Emmanuel Macron.
Është një shenjë se sa keq kanë qenë marrëdhëniet mes Britanisë dhe Francës fakti që samiti i së premtes është i pari që nga viti 2018. Më parë, ata mbaheshin çdo dy vjet.
Emmanuel Macron dhe Rishi Sunak do të përpiqen të riparojnë disa nga ato dëme dhe të tregojnë se një "kapitull i ri" po hapet në marrëdhëniet midis kombeve fqinje, sipas zyrës së Macron.
Marrëdhëniet midis Londrës dhe Parisit u ftohën mes grindjeve pas Brexit për të drejtat e peshkimit dhe çështje të tjera, dhe u rrëzuan nën drejtimin e kryeministrit Boris Johnson, i cili kënaqej duke i provokuar francezët.
Pasardhësja e Johnson-it, Liz Truss, ua shpupurisi pendët francezëve vitin e kaluar kur tha se "s’duhet juri" nëse Macron ishte mik apo rival.
Por pushtimi i Ukrainës nga Rusia e afroi Britaninë dhe fqinjët e saj evropianë në mbështetje të Kievit dhe disponimi u përmirësua pasi Sunak pragmatik, teknokrat mori detyrën në tetor pas mandatit të shkurtër dhe ekonomikisht destabilizues të Truss.
Vizita e Sunak vjen gjithashtu dy javë përpara se mbreti Charles III të shkojë në Francë dhe më pas në Gjermani për vizitat e tij të para shtetërore që kur u bë monark, në përpjekjet e mëtejshme britanike për të ndërtuar ura me fqinjët evropianë.
“Samiti do të jetë mbi të gjitha një mundësi për të riafirmuar dhe thelluar bashkëpunimin e ngushtë në drejtim të mbështetjes ushtarake për Ukrainën”, thuhet në deklaratën e Pallatit Elysee, pasi të dyja vendet janë të vetmet fuqi bërthamore në rajon.
Një delegacion prej shtatë ministrash të lartë nga secili vend do të marrë pjesë, duke përfshirë ata përgjegjës për Punët e Jashtme, Mbrojtjen dhe Çështjet e Brendshme.