INTERVISTE/ Kaso: Angazhimi politik i PD, të garojmë nëpërmjet një koalicioni sa më të gjerë partish opozitare

"Ne jemi të angazhuar në institucione dhe betejën tonë do ta bëjmë në institucione deri në fund."

"PD është në një sulm të paprecedentë i cili ka vetëm një dhe vetëm një synim: atë të zhbërjes së partisë më të madhe në vend të opozitës"

"Në këto kushte PD, sikundër ka qenë edhe angazhimi i saj politik i mëparshëm, përpara vendimmarrjeve të gjykatave, është që të garojmë nëpërmjet një koalicioni sa më të gjerë partish opozitare."

Z. Ivi Kaso, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka rrëfyer sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV, vendosmërinë e forcës më të madhe të opozitës, për të ndjekur rrugën institucionale për  pjesëmarrje në zgjedhje dhe në të gjitha proceset e tjera politike dhe për të mos dalë kurrë më prej asaj hullie, por gjithashtu, tregoi edhe formën ligjore që Partia Demokratike do të ndjekë për të regjistruar kandidatët e saj për kryetarë bashkie të dalë nga procesi i Primareve në PD, që të figurojnë në fletën e votimit më 14 Maj.

Z. Kaso bëri të qartë se PD-ja është nën një sulm të paprecedentë, i cili ka vetëm një synim, zhbërjen e partisë më të madhe të opozitës.

INTERVISTA ME MODERATORIN E EMISIONIT, FLAVIO QARRI

Kafe Shqeto: Z. Kaso, si do ta komentonit qëndrimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, z. Celibashit, që u duk se dha një qëndrim korrekt, megjithatë në procedurë nuk ishte edhe aq, të paktën për pritshmëritë e publikut shqiptar?

Ivi Kaso:  E vërtetë. Komenti juaj u duk sikur papritur z. Celibashi u bë heroi i ditës, që shpëtoi procesin zgjedhor. Nuk do të isha me një qasje kaq entuziaste, për shkak se sikundër u tha, KQZ dhe në rastin konkret Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve kishte në tavolinën e tij dy kërkesa për sa i përket regjistrimit të PD. Kishte një kërkesë nga PD që nëpërmjet Kryetarit të saj Sali Berisha, nëpërmjet institucioneve të saj legjitime, i drejtohej Komisionerit për të regjistruar partinë në këtë proces. Kishte dhe një kërkesë tjetër nga ai që rëndom e kemi quajtur dhe tani më shumë se kurrë tregon se është veçse “Fraksioni i vulës”, i cili gjithashtu kërkonte dhe pretendonte të përfaqësonte PD-në.

Tani, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ishte përpara dy qasjeve: njëra që do të ishte nën përgjegjësinë e plotë të institucionit që ai drejton, pra të merrte një vendim, të regjistronte partinë më të madhe të opozitës në procesin zgjedhor, t’i kthente këto zgjedhje për pushtetin vendor në pluraliste, sikundër nuk ishin zgjedhjet paraardhëse për pushtetin vendor, ato të 2019-ës dhe mbi të gjitha të merrte dijeni të një realiteti juridik tashmë të çertifikuar me vendime gjykate, atë që organet legjitime dhe drejtuesit e PD-së janë një dhe vetëm një dhe përfaqësohen nga organe të zgjedhura lirisht nga vetë demokratët, nga Kryetari, nga Kryesia, nga Sekretari i Përgjithshëm, gjithçka që është çertifikuar me vendimmarrjen e 25 marsit 2022 të Gjykatës së Tiranës.

Do të thotë se duhet të njihte faktin juridik, se ka një vendim në fuqi që ka një kongres, një kuvend të 11 Dhjetorit të demokratëve, i cili është akoma në fuqi i pashfuqizuar nga asnjë vendim gjykate, sikundër të merrte dijeni të faktit që regjistrimi formal, të cilin kërkoi në regjistrimin e partive politike, i cili është ripërsëritur nga gjykata duke pretenduar se Kryetari i PD është Lulzim Basha, është një regjistrim i vjetër që i përket vitit 2018.

Pra, praktikisht duhet të njihte faktin që realiteti juridik dhe politik i PD-së ka avancuar shumë në atë që është në raport me regjistrimet e vjetra të këtij subjekti, që janë në regjistrin e partive politike.

Zoti Celibashi për fat të keq, nuk e pranoi këtë logjikë juridike, të cilën institucioni i tij e ka pranuar në vitin 2019 kur ka dashur që t’i japë legjitimitet qoftë edhe formal procesit zgjedhor, nëpërmjet regjistrimit të subjektit “Bindja Demokratike”.  Pra kemi një rast analog në të cilin është vendosur  në mënyrë të ndryshme nga i njëjti institucion - dhe zgjodhi qasjen formaliste.

Pra, praktikisht u limitua vetëm në vërtetimin që sjell në Gjykatën e Tiranës (e cila tashmë e ka humbur çdo lloj kredibiliteti të një institucioni të pavarur që jep informacione të vërteta mbi realitetin e partive politike) dhe zgjodhi të ishte më formalist sesa duhej, në raport me atë çka i kërkon dhe i ngarkon ligji, sepse ligji i Komisionerit nuk i kërkon të jetë një noter i thjeshtë i disa letrave, të cilat i vihen në dispozicion nga partitë politike, po i kërkon që  të marrë vendime në interes të një procesi zgjedhor të drejtë, i kërkon që të marrë vendime në interes të zgjedhësve dhe të votuesve për të cilët bëhen zgjedhje në radhë të parë.

Në kuadër të kësaj qasjeje formaliste, sigurisht, ngriti një ose dy nga ato  shqetësime që ne i kishim ngritur që në krye të herës kur u njohëm me dokumentacionin e paraqitur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga “Fraksioni i vulës”, siç është çështja e famshme e autorizimit, i cili nuk dihet për kë është konkretisht dhe për çfarë është. Por gjithsesi, nuk është një autorizim që përcakton apo lë nëpërmjet një testamenti politik, kryetarët e partive, qoftë këta dhe të përkohshëm dhe nga ana tjetër edhe deklaratën, e cila sikundër e tha dhe Celibashi është një përgjegjësi personale e Kryetarit të partisë që duhet të angazhohet për një proces të rregullt zgjedhor,. Dhe në këtë qasje formaliste që zgjidhi të bënte Komisioneri i zgjedhjeve sigurisht nuk mund t’i ngrinte këto shqetësime.

Kafe Shqeto: Le ta shohim pak më gjerë, nuk është se ju e kishit bazuar të gjithë shpresën tuaj për demokraci në këtë vend te Ilirjan Celibashi.

Ivi Kaso: Jo, aspak. Ne nuk presim gjë nga institucionet shqiptare. Ne e kemi bërë të qartë qasjen tonë që për sa i përket rregullimeve të brendshme, sa i përket legjitimitetit të organeve, fuqisë së përfaqësimit të një partie politike, zë kanë dhe do të kenë vetëm anëtarësia e kësaj partie, zë në rastin konkret do të kenë vetëm demokratët sikundër kanë pasur që nga Kuvendi historik i 11 Dhjetorit 2021 dhe vazhdojnë ta kenë nëpërmjet proceseve të brenshme që janë gjithmonë e më të shumta, gjithmonë e më transparente, gjithmonë e më të bazuara te fuqia e votës që i është kthyer anëtarësisë.

Ne, për hir të hullisë institucionale në të cilën PD është angazhuar që të futet dhe të mos dalë kurrë më prej saj, pasi kujtojmë këtu që ka rezoluta të Kuvendit Kombëtar të demokratëve në Kuvendin e 30 Prillit, të cilat e angazhojnë PD-në drejt një hullie institucionale, pra të mos shmangies më kurrë nga proceset zgjedhore ose procese të tjera institucionale, rrugë të cilën PD-në për fat të keq e kishte praktikuar dhe pa sukses dhe madje me pasoja dramatike qofte këto dhe në zgjedhjet e fundit të 2019-ës. Pra neve jemi të angazhuar në institucione dhe betejën tonë do ta bëjmë në institucione deri në fund.

Kjo nuk do të thotë që vendimet e rëndësishme për PD-në, vendimet e rëndësishme sesi do të përballemi me proceset zgjedhore, a do të përballemi apo jo dhe si do të kanalizohet më tutje aksioni ynë politik, presim që të na vijnë nga institucionet ose presim që të marrim një çertifikim, qoftë edhe formal nga institucionet.

Ne e kemi bërë me dije se pas vendimit skandaloz të 3 marsit që institucionet në raport me PD-në janë të trysnuara që të shohin vetëm atë çka pushteti dhe aktorë dhe faktorë të tjerë përpiqen që të imponojnë.

Ne e kemi të qartë se PD është në një sulm të paprecedentë i cili ka vetëm një dhe vetëm një synim: atë të zhbërjes së partisë më të madhe në vend të opozitës duke tentuar që ta lënë këtë parti pa përfaqësuar elektoratin e vet në procesin e ardhshëm zgjedhor por jo vetëm: duke synuar që ta nxjerrin PD-së sërish nga institucionet dhe duke e shtrënguar që aksionin e vet politik ajo ta zhvillojë vetëm në rrugë. Sigurisht, vendimet që janë marrë në raport me këtë sulm të paprecedentë janë vendime që u morën shpejt në kohën e duhur dhe unë besoj gjithsesi të drejta.

Kafe Shqeto: Si kjo e drejtë e qytetarëve shqiptarë do të kanalizohet në zgjedhjet e 14 Majit?

Ivi Kaso: Ne kemi një angazhim publik me demokratët, me të gjithë opozitarët, me të gjithë ata qytetarë që janë të papërfaqësuar dhe të pakënaqur nga mazhoranca, nga institucionet në këtë vend që ne do të paraqesim në këto zgjedhje, alternativën tonë në çdo formë dhe në çdo mënyrë. Sigurisht, në kushte optimale do të duhej që për çdo parti që garon në zgjedhje, veçanërisht për partinë më të madhe të opozitës në këto kushte opozite të vështirë, maksimalizimi i rezultatit zgjedhor do të vinte duke na lejuar që ne të garonim me logon, me siglën tonë, me gjithë potencialin tonë elektoral.

Tashmë është e qartë se institucionet kanë zero vullnet për ta lejuar një gjë të tillë që të ndodhë dhe në këto kushte PD, sikundër ka qenë edhe angazhimi i saj politik i mëparshëm, përpara vendimmarrjeve të gjykatave në këtë drejtim, angazhimi ynë politik është që të garojmë nëpërmjet një koalicioni sa më të gjerë partish opozitare.

Sigurisht kjo është e mundur dhe do të lejojë që kandidatët e zgjedhur nëpërmjet procesit të Primareve të cilët në radhë të parë nuk janë vetëm kandidatë të PD-së, por mbi të gjitha janë kandidatë të qytetarëve janë kandidatë të përzgjedhur nga komunitetet, të cilat ata synojnë të garojnë dhe që synojnë të përfaqësojnë atë komunitet, do të mundësojë, mënyra e paraqitjes sonë në garën zgjedhore me koalicione, që ata të regjistrohen dhe të figurojnë në fletën e votimit.

Për sa i përket përkatësisë së tyre ose ndjesisë që qytetarët, komunitetet, votuesit do të kenë lidhur me këta kandidatë, nuk ka më asnjë dyshim se ata janë kandidatët e vërtetë të opozitës së bashkuar, ata janë kandidatët të cilët janë zgjedhur jo prej vullnetit të Kryetarit apo kanë dalë nga xhepi i Kryetarit, minutën e fundit, por janë kandidatët e zgjedhur nëpërmjet votës së lirë vullnetit qytetar dhe gëzojnë besimin tonë maksimal se do të arrijë të maksimalizojnë në çfarëdo lloj mënyre që ne do të paraqitemi në procesin zgjedhor, do të maksimalizojnë votën e opozitës./ar.sh/SYRI.NET