Itali, Meloni shpalos plane të ashpra për të goditur kontrabandistët e imigrantëve

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni shpalosi planet e qeverisë së saj të krahut të djathtë për të goditur kontrabandistët e njerëzve pas një takimi të kabinetit që ajo drejtoi të enjten në qytetin jugor pranë plazhit, ku një barkë prej druri e mbushur me emigrantë u shkatërrua.

Duke e mbajtur takimin në Cutro, Kalabri në vend të kryeqytetit, Romës, kryeministrja italiane Meloni tha se po theksonte vendosmërinë e saj për të "luftuar skllavërinë e mijëvjeçarit të tretë".

Ajo njoftoi se kabineti i saj kishte miratuar një dekret që krijon një krim të ri – kontrabandën me njerëz që rezulton me vdekje ose lëndim të rëndë të migrantëve – akt i dënueshëm me deri 30 vjet burg, një dënim jashtëzakonisht i ashpër për krimet që përfshijnë lehtësimin e imigracionit të paligjshëm.

Shumë nga të vdekurit dhe të mbijetuarit në tragjedinë e 26 shkurtit kishin ikur nga Afganistani, Irani, Pakistani dhe Siria, me shpresën për t'u bashkuar me anëtarët e familjes në Itali dhe vende të tjera të Evropës Perëndimore.

Në fillim të kësaj jave, një trup i 72-të u gjet nga mbytja e anijes. Varka e mbipopulluar u përplas në një breg rëre në afërsi të plazhit Steccato di Cutro, filloi të mbushej me ujë dhe u copëtua.

Tetëdhjetë njerëz mbijetuan, shumë prej të cilëve dolën të tronditur në breg pasi notuan nëpër rrënoja. Dhjetëra besohet se janë ende të zhdukur, sepse të mbijetuarit thanë se anija ishte nisur nga Turqia me rreth 180 pasagjerë.

“Detyra jonë është të gjejmë zgjidhje për problemin dhe sot, siç thashë, mënyra më e mirë për t'i nderuar ato viktima është të bëjmë atë që mundemi që kjo tragjedi të mos përsëritet”, tha Meloni.

Dekreti i kabinetit duhet të shndërrohet në ligj nga Parlamenti, ku koalicioni i djathtë i Melonit ka një shumicë komode.

Dekreti gjithashtu i jep fuqi Italisë që të ndjekë kontrabandistët edhe nëse krimet kryhen "jashtë kufijve tanë kombëtarë", tha Meloni.

Ministri i Drejtësisë Carlo Nordio u tha gazetarëve se Italia do të afirmojë juridiksionin e saj në rastet kur një mbytje vdekjeprurëse e anijes, ose humbje të tjera jete ose lëndime të migrantëve, ndodhin në "ujra që nuk janë nën kontrollin (territorial) të askujt". Kjo do të zbatohet kur anija e kontrabandistëve të jetë nisur drejt Italisë.

I njëjti dekret do të zbatohet kundër atyre që financojnë operacionet pas kontrabandës, tha Nordio.