Bëri dy gafa ndaj Bayernit, Verratti ‘kryqëzohet’ në Francë: Është një lojtar rruge

Eliminimi i PSG-së nga Champions League në 1/8-at e finales, nuk është mirëpritur nga tifozët francezë.

Humbja edhe në ndeshjen e kthimit ndaj Bayern Munchen i dha fund një herë ëndrrës evropiane të klubit transalpin.

Mbrëmja e së mërkurës nuk ishte veçanërisht e favorshme për Marco Verrattin.

“Regjisori” i kombëtares italiane bëri dy gabime të rënda, nga të cilët lindën golat e skuadrës bavareze.

Pas eliminimit të skuadrës pariziene, kritikët e sulmuan mesfushorin italian mjaft ashpër.

Në veçanti e sulmoi folësi i RMC Sport, Daniel Riolo, i cili përdori terma të rëndë, pothuajse fyes ndaj lojtarit nga Abruzzo.

“Duhet ta kthejmë te Pescara, – deklaroi ai para mikrofonave, – që të mund të hajë qebapë, të shëtisë buzë detit, të pijë ndonjë gotë dhe cigare. Ai është një lojtar rruge, dikush që nuk mund të ishte titullar as në ekipin e djalit tim”.