Conference League/ Fiorentina vuan ndaj Sivasspor, ngelin Basel dhe Gent

Conference League mbylli takimet e para të raundit të 1/8-ave.

Fiorentina fitoi me shumë vështirësi ndaj modestëve të Sivasspor. Skuadra italiane vuajti shumë për të gjetur golin e avantazhit, teksa iu desh që të priste 69 minuta, deri kur Barak e dërgoi topin në rrjetë. Më pas gjërat u bënë më të thjeshta për ekipin “vjol”, që në Turqi udhëton I qetë në kërkim të kualifikimit.

Basel nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 ndaj Slovan Bratislava. Zviceranët shënuan me Amdouni dhe Zeqiri, por sllovakët në dy raste barazuan rezultatin, duke lënë llogaritë e hapura për në ndeshjen e dytë.

Lech Poznan e mbylli me një fitore të pastër 2-0 ndeshjen e parë ndaj Djurgarden. Realizimi i Milic në pjesën e parë dhe realizimi i dytë i Marchwinski i jep qetësi skuadrës polake, që në ndeshjen e kthimit do tentojë të menaxhojë avantazhin e kësaj sfide.

Në ndeshjen tjetër, Gent barazoi 1-1 me Istanbul Basaksehir. Turqit shënuan të parët me anë të Okafor, por më pas vendasit barazuan me Gift dhe në Turqi do të vendoset skuadra që do të kalojë në çerekfianale.