Eno Bozdo: Me Ahmetajn para drejtësisë, Rama kërkon të varrosë skandalin e inceneratorëve

BKH bastisi mbrëmjen e kësaj të enjte shtëpitë e Arben Ahmetajt, vetëm disa orë pas presionit të drejtpërdrejtë të Edi Ramës. 

Në sitën e agjentëve të BKH kanë qenë shtëpitë e ish-bashkëshortes dhe partneres aktuale të Ahmetajt, Albina Mançka dhe Erjola Hoxha. 

Anëtari i Kryesisë së PD, Eno Bozdo u shpreh në "Çim Peka Live", në Syri Tv se goditja ndaj Ahmetajt po bëhet nga Rama me qëllim që të mbyllet çështja e incenceratorëve. 

"Nëse hetimi nuk është për inceneratorët, është çasti që inceneratorët i varros përfundimisht. Ky është çasti kur Arben Ahmetaj nuk shkon në drejtësi për hir të një inceneratori. Pse? Ahmetaj di shumë, do flasë shumë, e ka thënë këtë gjë mes rreshtave, ka lënë të kuptohet një gjë e tillë. Nëse është kështu kjo është një lëvizje çorientuese që e çon në drejtim krejt të tjetër, për t'i thënë njerëzve që ja Ahmetaj ra në grackën e drejtësisë, por çështja e inceneratorëve është e mbyllur. Në një kohë kur ne e dimë që është një çështje përvëluese që nuk ka se si të mbyllet kaq kollaj një çështje ku Rama ka qenë në dijeni, Engjëll Agaçi ka qenë në dijeni, ndryshe nuk fiurmohet dhe nuk vihet në lëvizje i gjithë ai mekanizëm i tmerrshëm i përlarjes së 420 mln euro për një incenerator që nuk ekziston dhe dy inceneratorë të tjerë që nuk funksionojnë. E shoh me shqetësim këtë zhvillim, nëse vërtetë është kështu situata, kjo nuk ka lidhje me inceneratorët", u shpreh Bozdo.