Pronat e ushtrisë/ SPAK thirri Olta Xhaçkën, ja ku 'u arratis' ministrja

Dyert e SPAK-ut u hapën sot për ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Bardhyl Kollçaku, i cili prej vitit 2019 është deputet i Partisë Socialiste.

Kollçaku hyri në ambientet e Prokurorisë së Posaçme pak pas orës 11:00 të paradites dhe u pyet në pyetje lidhur me çështjen e privatizimit të pronave të ushtrisë, pasi ai është kallëzuar nga ish-gjenerali Artur Meçollari në vitin 2021 për “shpërdorim detyre”.

Meçollari, i cili gjithashtu hyri më herët në ambientet e SPAK gjatë kësaj të enjte, akuzon Kollçakun për tjetërsimin e pronave ushtarake dhe shkelje të rënda në kohën kur ai ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Kallëzimi në fjalë ka të bëjë me dhënien me qira të bazës detare të Limionit në Sarandë, ku përveç Kollçakut, ish-komandanti i Forcës Detare akuzon edhe ish-ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Ndërkohë, sipas MCN ishte njoftuar me një fletë-thirrje për t’u paraqitur këtë të enjte në Prokurorinë e Posaçme edhe ish-ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Organi i akuzës ka mbledhur të gjitha provat shkresore për këto prona dhe tashmë pritet dëshmia e personave përgjegjës që kanë firmosur për to, ku përfshihet edhe Xhaçka.

Por, deputetja socialiste që mban aktualisht postin e Ministres së Jashtme nuk është paraqitur në SPAK, pasi ndodhet jashtë Shqipërisë. Mësohet se Xhaçka por merr pjesë në Forumin e Ballkanit, që zhvillohet në Budapest.

Edhe Euronews raportoi se pjesë e listës së funksionarëve të lartë që pritet të merren në pyetje nga SPAK, në lidhje me privatizimin e pronave të ushtrisë është dhe ish-ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.