‘Sot mungon pluralizmi politik’/ Kalaja: Basha-Alibeaj sharlatanë! S'respektohet vendimi i qytetarëve
Gazetari dhe aktivisti Aulon Kalaja, i ftuar në SYRI TV me moderator Bled Markun, ka folur zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike pas vendimit të Gjykatës së Apelit për vulën si dhe regjistrimin në KQZ për zgjedhjet lokale të 14 majit.
Kalaja theksoi se vendimi i Apelit nuk do të thotë se i ka dhënë të drejtën zotit Alibeajt që të regjistrohet në KQZ, përkundrazi vendimi i Apelit është për prishjen e vendimit të shkallës së parë pra nuk kemi një vendim të formës së prerë.
Lidhur me deklaratat e Celibashit, se në bindjen e tij kryetar i PD është zoti Berisha por i duhet një copë letër për ta regjistruar, Kalaja u shpreh se drejtuesi i KQZ-së nuk duhet të shprehej në atë formë, por ky fakt tregon se dihet tashmë se kush është kryetar i opozitës.
Autorizimi i dhënë nga Basha për Alibeajn ishte një tjetër pikë ku është ndalur Kalaja, ku sipas tij është një satirë e madhe pasi kemi të bëjmë me sharlatanë politikë dhe politikanë të përgjegjshëm.
Sipas gazetarit, është fakt i ditur botërisht që Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen dhe se demokratët shqiptarë po e kuptojnë shumë mirë se ku është kriza në këtë mes.
Kalaja: Për hir të së vërtetës nuk jemi as në vitin 1990 atëherë kur partitë politike regjistroheshin në Ministrinë e Drejtësisë, kur ndërroi emrin Partia e Punës në Partinë Socialiste apo edhe kur u regjistrua Partia Demokratike kishim një lloj pluralizmi politik, por sot 33 vite më vonë mesa duket nuk kemi atë që quhet faktorin relevant të opozitës shqiptare për tu regjistruar në KQZ dhe për të marrë votat e atyre qytetarëve që minimalisht i kemi parë në shesh, por një pjesë të tyre e pamë edhe si rezultat i zgjedhjeve 6 marsit, por edhe zhvillimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit një kuvend historik që një parti politike mund ta përjetojë një herë në 100 vjet ose nuk mund ta përjetojë kurrë në kuvend të jashtëzakonshëm në aspektin e firmave apo kontestimit të kryetarit dhe rithemelimin e PD-së.
E parë në këtë aspekt drejtësia është e mohuar. Kam një kritikë në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit pasi ata nuk do duhej ta legjitimonin si palë palën tjetër në proces, pasi kemi një deklaratë të avokatit të palës së Alibeajt i cili ka thënë që ne nuk kemi qënë palë në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe si rregull Gjykata e Apelit do duhej të mos i legjitimonte.
Në momentet e para kur e lexova se ata ishin legjitimuar që aty e kuptova që vendimi i gjykatës do të ishte një vendim i paprecedent. Kjo nuk do të thotë se i ka dhënë të drejtën zotit Alibeajt që të regjistrohet në KQZ, përkundrazi vendimi i Apelit është për prishjen e vendimit të shkallës së parë pra nuk kemi një vendim të formës së prerë.
Mbetet në dorën e zotit Berisha që të rekursojnë vendimin që u mor në datën 3 mars të 2023.
Nuk po flas politikisht por ligjërisht dhe po u zbatua ligji grupimi i Alibeajt nuk regjistrohet. Ngado që ta këpësh këtë situatë fut ujë.
Deklarata e zotit Celibashit që tha se në bindjen e tij kryetar është zoti Berisha por mua më duhet një copë letër që ta regjistrojë. Pra ne kemi rënë në debatin e copave të letrave, të vulave të bravave.
Edhe legaliteti ka rënë në pikëpyetje. Politika është legjitimitet dhe ne e dimë shumë mirë se kush e ka legjitimitetin.
Zoti Celibashi që drejton KQZ-në nuk do duhej të dilte me deklaratën që zoti Berisha është kryetar i PD në dijeninë e tij, pra këtu bën ‘mu’ prandaj dhe Celibashi shprehet në atë formë.
Përsa i përket autorizimit të famshëm, mendoj se është një satirë të madhe dhe kemi të bëjmë me sharlatanë politikë dhe politikanë të përgjegjshëm. Është fakt i ditur botërisht që Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen.
Si ka mundësi që ky zotëri ka presupozuar se në PD nuk do ketë zgjedhje gjatë këtij viti dhe marionetat poshtë tij do ja mbajnë ison dhe do të vazhdojë pengmarrja e PD.
Letra e dhënë nga Basha është tre ditë para se të jepte dorëheqjen dhe këtu kemi të bëjmë me falsifikim të madh të dokumentave dhe nuk e dimë se kur është dhënë firma dhe kur është vendosur kjo letër.
Demokratët shqiptarë po e kuptojnë shumë mirë se ku është kriza në këtë mes.
Këtu bëhet fjalë për minimin e demokracisë.