KAFE SHQETO/ Tepelena: Valorizimi i Skënderbeut ka një rëndësi jetike

Rrënimi i trashëgimisë kulturore shqiptare, një shqetësim publik, u bë sot objekt diskutimi në emisionin KAFE SHQETO në SYRI TV.

I apasionuari pas artit dhe kulturës, z. Andi Tepelena, që ka kryer edhe studimet në Itali, në Universita Ca’Foscari Venecia, i ka mëshuar sot sidomos rëndësisë që duhet t’i jepet një figure madhështore si Skënderbeu dhe solli një dëshmi domethënëse nga Venecia, nga albanologia Luçia Nadin.   

“Po lexoja një libër të albanologes së shquar Luçia Nadin, - tregoi z. Tepelena, - për lidhjet kulturore midis Venecias dhe Shqipërisë. Në një faqe të librit, tek anija e famshme e Doxhës së Venecias (Doxha ka qenë le të themi, “kryeministri” i Venecias) dhe pikërisht në anijen e famshme të Doxhës venecian, është figura e Skënderbeut, e gjigantit, Skënderbeut.

Dua të them që Skënderbeu duhej të ishte një nga figurat më të jashtëzakonshme të historisë së popullit shqiptar, po jo vetëm në nivel shqiptar, por edhe europian. Nëse ne si institucione, si vend, do të dimë ta përdorim figurën e Skënderbeut për ta promovuar, valorizuar, unë mendoj se dhe nga ana gjeopolitike, Shqipëria do të futej në një hartë të jashtëzakonshme, të rëndësisë së veçantë.

E para, na fut në hartën e vendeve që kemi mbrojtur traditën, krishterimin dhe gjithçka dhe do të studiohet jo vetëm nga ana ushtarake, por edhe politike, diplomatike; se është një shkollë e vërtetë. Pra, promovimi, valorizimi i Skënderbeut nuk është më një nevojë kombëtare lokale, por është i një rëndësie ndërkombëtare.

E them me bindje të plotë: në qoftë se Skënderbeu, figura e tij simbolike do të valorizohej ashtu siç duhet, Shqipëria do të futej në një hartë vërtet të jashtëzakonshme të gjeopolitikës. Por ne i kemi lënë arbëreshët vetëm, sepse zakonisht na vijnë njoftime nga arbëreshët që janë duke bërë një punë të jashtëzakonshme për Skënderbeun dhe vazhdojnë prej 500 vjetësh.”/ar.sh/SYRI.NET