Gjeorgjia detyrohet ta heqë ligjin për ‘agjentët e huaj’ pas protestave të fuqishme

Partia qeverisëse e Gjeorgjisë ka thënë se do ta tërheqë një projektligj të debatueshëm përballë protestave masive dhe kritikave të përhapura ndërkombëtare. Për ditë të tëra, mijëra protestues kanë dalë në rrugë në Tbilisi të zemëruar pasi një ligj i stilit rus hyri në parlament.

Sipas projektligjit, grupet joqeveritare dhe mediat do të jenë në shënjestër nëse marrin mbi 20% të financimit nga jashtë.

Partia kryesore në pushtet tha se po e tërhiqte projektligjin "pa kushte". Duke e përshkruar veten si një parti e qeverisë përgjegjëse për të gjithë anëtarët e shoqërisë, “Ëndrra Gjeorgjiane” iu referua nevojës për të reduktuar "konfrontimin" në shoqëri.

Gjeorgjia ka aplikuar për statusin e kandidatit të Bashkimit Evropian dhe ka kërkuar të anëtarësohet në NATO.  

Zyrtarët e BE-së e kishin dënuar projektligjin si të papajtueshëm me vlerat e BE-së. Në një deklaratë, delegacioni i BE-së në Gjeorgji tha se masa për heqjen e ligjit ishte një "njoftim i mirëpritur" dhe inkurajoi udhëheqësit politikë të rifillonin "reformat pro-BE".

Tërheqja e qeverisë pasoi natën e dytë të përleshjeve midis policisë së trazirave dhe protestuesve jashtë parlamentit. Gaz lotsjellës dhe topa uji u përdorën për të shpërndarë demonstruesit ndërsa ata brohorisnin "jo ligjit rus".

Në deklaratën e saj, “Ëndrra Gjeorgjiane” u ankua se propozimi ishte etiketuar në mënyrë të padrejtë dhe se ndërsa "sfondi emocional ulet" do të shpjegonte rëndësinë e projekt-ligjit dhe transparencën në financimin e huaj për publikun.

Kryeministri Irakli Gharibashvili i kishte dënuar më parë "trazira" mbi projektligjin. Partia e tij pohoi se legjislacioni imitonte ligjet amerikane të viteve 1930, një argument i përdorur edhe nga Kremlini kur miratoi një ligj të ngjashëm në 2012.

Ai ligj rus është intensifikuar gradualisht dhe tani shtyp OJQ-të e financuara nga perëndimi, mediat e pavarura, gazetarët dhe blogerët, të cilëve u kërkohet të etiketojnë përmbajtjen e tyre me frazën e keqe "agjent i huaj".

“Përsëri dhe përsëri ata po përpiqen çdo gjë për të na larguar nga Bashkimi Evropian, vlerat evropiane”, tha protestuesi 30-vjeçar Luka Kimeridze.

Eka Gigauri e “Transparency International” në Gjeorgji tha për BBC se OJQ-të tashmë i nënshtroheshin 10 ligjeve të ndryshme dhe ministria e financave tashmë kishte akses të plotë në llogaritë, financimet dhe informacione të tjera.

Presidentja e Gjeorgjisë Salome Zourabichvili mbështeti protestuesit dhe u zotua të vërë veton ndaj propozimit, megjithëse në fund të fundit qeveria do të kishte fuqinë për të anashkaluar dekretin e saj.