Skandali/ 1 milionë € për tërmetin në Turqi, 4 milionë € për instalacion në Kryeministri
Një skandal e ka cilësuar kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Kurbinit, Behar Haxhiu, vendimin e kryeministrit Edi Rama për të dhuruar 1 milionë euro për qeverinë turke si ndihmë për tërmetin, kur në të njëjtën kohë qeveria shpenzon plot 4 milionë euro për një instilacion vazosh lulesh në Kryeministri.
Sipas Haxhiut, nëse kjo qeveri do t'i vinte fre korrupsionit, edhe ndihma ndaj qeverisë turke do kishte qenë më dinjitozë, teksa solli ndërmend faktin se qeveria turke, mori përsipër ndërtimin e 500 apartamenteve në Kurbin, në kuadër të projektit të rindërtimit.
“Tërmeti shkatërrimtar i 6 shkurtit që preku Turqinë ishte në kufijtë e një apokalipsi, ku numri I viktimave të identifikuara ka shkuar në mbi 49 mijë, më mijëra kanë mbetur të plagosur e miliona të pastrehë. Kjo tragjedi që preku popullin turk, më solli ndërmend mëngjesin e trishtë të 26 nëntorit, kur tërmeti gjunjëzoi Shqipërinë, ku Kurbini ishte në hartën e zonave më të prekura, ndaj së bashku me banorët e kësaj treve më shumë se kurrë, sot solidarizohemi me dhimbjen e popullit turk.
Ishte qeveria turke, që mori përsipër ti gjendej pranë qytetarëve të Kurbinit, ku mori përsipër ndërtimin e 500 apartamenteve, premtim I mbajtur, pasi ndryshe nga objektet që mori përsipër të ndërtonte apo rikonstruktonte qeveria shqiptare, që janë ende në proces, në kompleksin e pallateve të ndërtuara nga qeveria turke në Kurbin banorët janë strehuar.
Mirënjohja është tipar dallues i popullit shqiptar, por sot ata që janë në krye të këtij populli nuk mishërojnë vlerat e tij.
U ndjeva i keq-ardhur kur kryeministri Rama në një program televiziv mori përsipër të dhuronte në emër të popullit shqiptar një shumë prej 1 milionë eurosh për qeverinë turke që po përballet me tragjedinë post-tërmet.
Të dhurosh 1 milionë euro për popullin turk, e të firmosësh tender 4 milionë euro për një instalacion vazosh në sheshpushimin e Kryeministrisë, tregon se më së paku nuk kë lidhje me mirënjohjen, por babëzia është I vetmi tipar që të karakterizon.
Ky kryeministër që vetëm për fluturime ka harxhuar së paku 22 milionë euro, meriton përçmim, pasi një ndihmë dinjitoze e shtetit shqiptar karshi qeverisë turke është plotësisht e mundshme, mjafton ti vihet fre korrupsionit galopant që ka bashkëshoqëruar qeverisjen.
Qeveria shqiptare është endë në kohë të rikuperojë këtë gabim, e ti gjendet pranë qeverisë turke me ato kapacitete financiare që shteti ynë ka. Ndërkohë edhe Bashkia Kurbin, përfituese drejtpërdrejtë e ndihmës së qeverisë turke në kuadër të projektit të Rindërtimit, përmes një vendimi të Këshillit Bashkiak, duhet të kishte miratuar një fond financiarë si ndihmë për popullin turk, brenda atyre kapaciteteve financiare të këtij institucioni.
Ndërkohë sa i përket Bashkisë Kurbin shumë ditë do vijë dita kur ky institucion do të japë llogari, pasi në krye do ketë një titulluar të votëbesuar të qytetarëve të Kurbinit dhe jo të emëruar”, shkruan Haxhiu në reagimin e tij në rrjetet sociale.