Skandali 'McGonigal'/ Nador Bakalli: Rama dëmtoi marrëdhëniet Shqipëri-SHBA
Aktivistë të Diasporës "Shqipëria e Lirë" i janë drejtuar me anë të një letre kongresmenit republikan Jim Jordan për të bërë transparencë lidhur me gjetjet e komisionit që ai drejton, në hetimin e skandalit Rama-McGonigal.
Përfaqësuesi i diasporës, Nador Bakalli u shpreh në një lidhje me skype për "Task Force" me gazetaren Sonila Meço në Syri Tv, se Edi Rama ka dëmtuar marrëdhëniet Shqipëri-SHBA.
Duke zbardhur detaje nga letra drejtuar Jordan, Bakalli thekson se kongresmeni është njoftuar për korrupsionin galopant në Shqipëri, fenomen i cili po cenon raportet mes dy vendeve.
"Sa i takon heshtjes së ambasadores për çështjen McGonigal, unë nuk i di konjukturat që ajo ka me DASH, por ajo që di unë është se emri i kryeministrit përmendet 14 herë në një dosje. Ne si lëvizje, duke parë këtë si diçka jashtëzakonisht të dëmshme për marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA, i jemi drejtuar Kongresit amerikan me anë të një shkresë për të bërë transparencë të plotë lidhur me atë që ka ndodhur si pjesë e komisionit gjyqësor që do të drejtojë komisioneri Jim Jordan. Aty, në letër janë disa pika. Ne i konsiderojmë jetike mbarëvajtjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë e SHBA dhe kjo kalon përmes një politike transparente. Politika transparente është gjëja e fundit që ka për zemër Edi Rama dhe qeveria e tij. Ne i themi haptazi zotit Jordan që Shqipëria është e mbytur në korrupsion të cilat nuk janë të përshtatshme për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe nuk janë të dobishme për ne. Kërkojmë të bëhet një transparencë e plotë të gjithë marrëdhënies që ka patur kryeministri me agjentin e korruptuar të FBI, vetëm kjo lloj transparente do të bënte që marrëdhënia mes nesh dhe SHBA-së të marrin formën e duhur dhe të mos cenohen në asnjë mënyrë. Një marrëdhënie e papërshtatshme e kryeministrit me agjentin. Ne presim të marrim përgjigje nga kongresmeni Jim Jordan", tha ai.