Diaspora shqiptare letër kongresmenit Jim Jordan: Presim të zbardhni skandalin Rama-McGonigal!

Diaspora për Shqipërinë e Lirë i është drejtuar përmes një letre kongresmenit republikan, Jim Jordan, i cili në krye të komisionit të posaçëm të Kongresit po heton skandalin Rama-McGonigal.

Aktivisti Nador Bakalli nga Diaspora për Shqipërinë e Lirë që jeton e punon mes Kanadasë dhe SHBA-së, në ‘Task Force’ në SYRI TV me Sonila Meçon, zbuloi detaje nga letra drejtuar Jordan. 

Bakalli u shpreh se diaspora shqiptare kërkon transparencë lidhur me raportet mes agjentit të korruptuar, Charles McGonigal dhe kryeministrit Rama. 

"Sa i takon heshtjes së ambasadores për çështjen McGonigal, unë nuk i di konjukturat që ajo ka me DASH, por ajo që di unë është se emri i kryeministrit përmendet 14 herë në një dosje. Ne si lëvizje, duke parë këtë si diçka jashtëzakonisht të dëmshme për marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA, i jemi drejtuar Kongresit amerikan me anë të një shkresë për të bërë transparencë të plotë lidhur me atë që ka ndodhur si pjesë e komisionit gjyqësor që do të drejtojë komisioneri Jim Jordan. Aty, në letër janë disa pika. Ne i konsiderojmë jetike mbarëvajtjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë e SHBA dhe kjo kalon përmes një politike transparente. Politika transparente është gjëja e fundit që ka për zemër Edi Rama dhe qeveria e tij. Ne i themi haptazi zotit Jordan që Shqipëria është e mbytur në korrupsion të cilat nuk janë të përshtatshme për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe nuk janë të dobishme për ne. Kërkojmë të bëhet një transparencë e plotë të gjithë marrëdhënies që ka patur kryeministri me agjentin e korruptuar të FBI, vetëm kjo lloj transparente do të bënte që marrëdhënia mes nesh dhe SHBA-së të marrin formën e duhur dhe të mos cenohen në asnjë mënyrë. Një marrëdhënie e papërshtatshme e kryeministrit me agjentin. Ne presim të marrim përgjigje nga kongresmeni Jim Jordan", u shpreh Bakalli.