SYRI TV/ 8 Mars: Gratë në Lezhë, Vlorë dhe Durrës zgjedhin të protestojnë

Në ditën ndërkombëtare të tyre, gratë në qytete te ndryshme të Shqipërisë kanë zgjedhur që të protestojnë. Me pankarta në duar kërkojnë parandalimin e dhunës dhe krimeve ndaj vajzave dhe marrjen e masave nga institucionet shtetërore

Nga SYRI TV

Ndryshe nga vitet e tjera ku 8 Marsi për to ishte një ditë feste, në Ditën Ndërkombëtarë të Gruas, vajza dhe nëna kanë zgjedhur që të protestojnë. Nga Lezha, Vlora, Durrësi dhe Shkodra shumë gra kanë  dalë në sheshet e qyteteve të tyre për të kërkuar masa për të ndëshkuar dhunuesit.

"N'shesh t'burrave, pa burrni": me këtë slogan vajzat dhe gratë e Lezhës i kanë kërkuar institucioneve shtetërore te marrin masa që zëri i tyre të dëgjohet dhe të parandalohen krimet kundër gjinisë femërore

Ndërkohë në Vlorë, gratë dhe vajzat kanë zgjedhur të protestojë para teatrit “Petro Marko” me pankarta në duar duke kërkuar drejtësi për viktimat e dhunës. Por teksa kane tentuar te ngjisin pankartat në murin e Teatrit, drejtori Sokol Toto me një ton jomiqësor ndaj grave në ditën e tyre u ka kërkuar mos të ngjisin pankartat se e bëjnë murin pis.

Në Durrës gratë kanë zgjedhur të marshojnë paqësisht në rrugët e qytetit bregdetar. Avokatja Erisilda Shpata është ndalur te krimet që janë regjistruar se fundmi ndaj grave dhe ka kërkuar që ato të denoncojnë çdo ngjarje.

8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, shërben jo vetëm për bashkimin e grave por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim për disa dekada.

Gazetarë: M. Marku, G. Këllçiu, A. Aliaj 

Montazhier:L.Kotri