Lazio u mposht në ‘Olimpico’, por futbollisti i italianëve vendos rekord absolut

Lazio e nisi në mënyrën më të gabuar fazën e 1/8-tave në Conference League teksa u mposht në “Olimpico” me rezultatin 1-2 nga holandezët e AZ Alkmaar.

Sfida nisi mirë për italianët që shënuan të parët me anë të Pedro Rodriguez, por goli i spanjollit u përmbys nga miqtë, me Lazion që ka para një mision të vështirë për të prekur çerekfinalen.

Nga ana tjetër, veç zhgënjimit për humbjen e skuadrës, Pedro e pati një arsye për t’u gëzuar.

Ish-futbollisti i Barcelonës falë golit ndaj Alkmaar u shndërrua në lojtarin e vetëm europian që shënon në raundin me eliminim direkt në të tre kompeticionet e UEFA-s, Champions League, Europa League dhe Conference League.

Edhe pse në moshën 35-vjeçare, Pedro mbetet një element shumë i rëndësishëm për Lazion teksa në këtë sezon ka shënuar tre gola në Serie A dhe një tjetër në Conference League.