Informacionet e reja sekrete thonë se ishte një grup pro-ukrainas që e sulmoi Nord Stream
Informacionet e reja të shërbimit sekret nga zyrtarë evropianë dhe amerikanë sugjerojnë se ishte një grup diversant pro-ukrainas kreu sulmin në tubacionet Nord Stream në shtator të vitit të kaluar.
Bombardimi ndodhi në ujërat ndërkombëtare në detin Baltik, pranë ishullit danez të Bornholm. Shpërthimet dëmtuan tubacionet që lidhin Rusinë dhe Gjermaninë duke lëshuar disa tonë gaz rus në Baltik.
Gazeta gjermane Die Zeit thotë se hetuesit besojnë se sulmi është kryer nga një ekip prej gjashtë personash, duke përdorur një jaht që ishte marrë me qira nga një kompani e regjistruar në Poloni dhe në pronësi të dy shtetasve ukrainas.
Edhe pse zyrtarët amerikanë kanë thënë se nuk kanë gjetur ndonjë provë që e lidh qeverinë ukrainase me sulmin, Mykhailo Podolyak, një këshilltar i lartë i presidentit ukrainas Zelenskyy, e ka hedhur poshtë lajmin si një teori konspirative.
Shkaku i saktë i shpërthimeve të shtatorit që goditën tubacionet e gazit natyror nuk dihet, por besohet gjerësisht se ato janë sulmuar.
NATO dhe Perëndimi kanë shprehur dyshime se Rusia ishte përgjegjëse.
Moska nga ana e saj fajëson Perëndimin dhe po bën thirrje për një hetim nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Gjermania, Danimarka dhe Suedia kanë nisur hetimet për shpërthimet të cilat aktualisht janë në vazhdim. Si Londra ashtu edhe Uashingtoni kanë thënë se janë duke pritur për ato hetime.
"Ne duhet t'i lëmë këto hetime të përfundojnë dhe vetëm atëherë duhet të shikojmë se cilat veprime pasuese mund ose nuk mund të jenë të përshtatshme," tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.