Vdekja tragjike e 13-vjeçarit në Elbasan/ Çfarë është somnambulizmi
Një ngjarje shumë e rëndë ka ndodhur në Elbasan në orët e para të mëngjesit. Një 13-vjeçar ka ndërruar jetë aksidentalisht pasi ka rënë nga ballkoni i pallatit. Sipas policisë, rezulton se 13-vjeçari kishte probleme me gjumin pasi vuante nga somnambulizmi. Në momentin e incidentit ai ka qenë i vetëm në banesë.
“Rreth orës 05:15 të mëngjesit të sotëm, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan, ka rënë aksidentalisht nga ballkoni i pallatit, 13-vjeçari A.M, i cili ka ndërruar jetë. Nga veprimet e para hetimore rezulton se 13 vjeçari kishte probleme me gjumin (vuante nga somnambulizmi, të ecurit gjatë gjumit) dhe në momentin e rënies nga ballkoni 13-vjeçari ka qenë vetëm në banesë”, njoftoi policia.
Grupi hetimor nën drejtimin e prokurorisë vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Çfarë është somnambulizmi
Ecja në gjumë, e njohur në gjuhën mjekësore si somnambulizmi, është një çrregullim që ndodh gjatë gjumit të thellë dhe çon në ecjen apo kryerjen e veprimeve të tjera komplekse. Somnambulizmi është më i zakonshëm tek fëmijët sesa tek të rriturit dhe ka më shumë gjasë të ndodhë kur një njeri është i lodhur.
Për shkak se një person somnambul mbetet në gjendje të thellë gjumi, ndërkohë që i ndodh ky episod, ata nuk janë të lehtë për t’u zgjuar nga gjumi dhe me gjasë nuk do ta mbajnë mend që kanë ecur ndërkohë që ishin në gjumë. Zakonisht, një njeri somnambul është në gjendje të kryejë disa veprime, por më e zakonshmja është ecja.