OKB: Plani britanik për azilkërkuesit - 'shumë shqetësues', shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar

Ligji për azilin i propozuar nga qeveria britanike është "shumë shqetësues" dhe do t’i bllokonte edhe ata që kanë një kërkesë bindëse, ka thënë agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët.

Përfaqësuesja e UNHCR-së në Mbretërinë e Bashkuar, Vicky Tennant, i tha BBC-së se masa do të shkelte ligjin ndërkombëtar dhe ishte i panevojshmëm për të ndaluar kalimet e Kanalit Anglez.

Kryeministri britanik Rishi Sunak ka thënë se ai është "i gatshëm për luftë" për ta bërë ligjin dhe për të kapërcyer çdo pengesë ligjore.

Laburistët kanë thënë se planet rrezikojnë të "përkeqësojnë kaosin".

Të martën, qeveria britanike përshkroi një ligj të ri i cili në mënyrë efektive do të ndalonte këdo që hyn përmes një rruge të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar për të kërkuar azil.

Kushdo që zbulohet se ka hyrë ilegalisht në vend do të bllokohet gjithashtu që të vije herë tjetër ose të pretendojë nënshtetësinë britanike në të ardhmen.

Masa është pjesë e përpjekjeve për të adresuar një rritje të numrit të njerëzve që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar përmes kalimeve të Kanalit çdo vit, i cili u rrit nga rreth 300 në 2018 në më shumë se 45,000 në 2022.

E pyetur për reagimin e saj ndaj planeve në emisionin “Neësnight” të BBC-së, zonja Tennant tha: "Ne jemi shumë të shqetësuar. Kjo në fakt po mbyll qasjen në azil në Mbretërinë e Bashkuar për njerëzit që vijnë në mënyrë të parregullt.

"Ne besojmë se është një shkelje e qartë e Konventës së Refugjatëve dhe mbani mend se edhe njerëzit me pretendime shumë bindëse thjesht nuk do të kenë mundësinë t'i parashtrojnë ato."

Konventa për Refugjatët, e rënë dakord për herë të parë në 1951, është një traktat shumëpalësh që përcakton se kush kualifikohet si refugjat dhe detyrimet e shteteve nënshkruese për t'i mbrojtur ata.