Sveçla: Krimet që janë kryer gjatë luftës në Kosovë as nuk i harrojmë e as nuk i falim

Ministri i MBP-së, Xhelal Sveçla ka theksuar se krimet që janë kryer gjatë luftës në Kosovë as nuk i harrojmë e as nuk i falim, shkruan Syri.net Kosova.

"Drejtësia për secilin akt ç’njerëzor ndaj popullatës së pafajshme është e pashmangshme", ka shkruar ai.

"Sot jam njoftuar se është arrestuar një qytetar i nacionalitetit serb që akuzohet se gjatë vitit 1999, në cilësi të personit zyrtar, ka ushtruar dhunë, torturë e keqtrajtim ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë. I njëjti po ashtu akuzohet se në bashkëpunim me struktura paramilitare serbe ka marrur pjesë edhe në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës. 

Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe ky është një fakt i njohur botërisht. Kryesit e akteve kriminale ndaj popullatës së pafajshme nuk janë dënuar asnjëherë për këto krime ose janë dënuar minimalisht. 

Teksa ne e kemi të freskët dhimbjen për secilin qytetar të shtypur, të keqtrajtuar, të dëbuar, të masakruar e të zhdukur, drejtësia është domosdoshmëri. Është e vonuar por është e pashmangshme", ka theksuar ministri.