Ristani: Basha nisi që në Kuvendin e 17 korrikut pengmarrjen e PD. Autorizimi vlen kur kryetari është në detyrë!
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Arben Ristani se Lulzim Basha ka përgatitur pengmarrjen e PD që në Kuvendin e 17 korrikut, kur futi termin e përfaqësimit të kryetarit me autorizim.
Në një lidhje me skype për edicionin e orës 19.00 me moderatorin Edvin Parruca në Syri Tv, Ristani sqaroi se autorizimi ndryshon nga komandimi sepse komandimi bëhet në kushtet kur kryetari mungon për shkak të dorëheqjes, ndërsa autorizimi bëhet kur kryetari është në detyrë.
Ndërsa Lulzim Basha ka bërë autorizimin e Enkelejd Alibeajt si pasues të tij në një kohë kur vetë kishte dhënë dorëheqjen.
"Unë shoh një situatë të parapërgatitur shumë kohë më parë, duke filluar që nga ndryshimet që iu bënë statutit në 17 korrik 2021, pra para shtatorit kur mori vendimin për përjashimin e Berishës. Në statut për herë të parë është futur termi i përfaqësimit të kryetarit me autorizim. Që aty ata kanë përgatitur këtë situatë që po vjen tashmë. Autorizimi ndryshon nga komandimi sepse komandimi bëhet në kushtet kur kryetari mungon për shkak të dorëheqjes, ndërsa autorizimi bëhet kur kryetari është në detyrë, por është në pamundësi për të ushtruar detyrën për arsye të ndryshme, bën një autorizim për një nga nënkryetarët. Por kryetari duhet të jetë formalisht në detyrë që të ketë vlerë autorizimi. Nga momenti që kryetari ka dhënë dorëheqjen e vetmja mënyrë për ta zëvendësuar është komandimi nga Këshilli Kombëtar. Pra, autorizimi nuk ka më fuqi edhe sikur ta marrim që ajo shkresë që ata paraqesin është jo e falsifikuar", u shpreh ai.
Ristani tregon edhe arsyet pse sipas tij Basha nuk ndoqi rrugën e duhur, duke komanduar apo autorizuar pasardhësin përmes Këshillit Kombëtar.
"Prandaj, termi kryetar i autorizuar është futur vetëm në ndryshimet e korrikut. Pra, Basha e ka paramenduar veprimin që do të kryente, përjashtimin e Berishës, e ka pritur reagimin që do të krijohej dhe për t'i dalë para ka futur në statut termin kryetar i autorizuar, për të bërë këtë lloj loje që vazhdojnë të bëjnë edhe sot. Është e gjitha hile e dirigjuar dhe e zbatuar nga Basha me Enkelejdin dhe të tjerë. Se për ndryshe do të kishin ndjekur rrugën normale të mblidhin KK dhe të autorizonin apo komandonin një kryetar tjetër, siç e parashikon statuti, por nuk kanë qenë të bindur që do të kishin votat në KK për ta bërë një gjë të tillë dhe prandaj kanë ndjekur këtë rrugë hilanjose, tipi e një skuthi për ta ndërtuar kështu siç e kanë ndërtuar", tha Ristani.