Ndërron jetë ish-Komandanti i Gardës së Republikës, Gjeneral Halit Gjecaj

Është ndarë nga jeta ditën e sotme në moshën 79-vjeçare ish-Komandanti i Gardës së Republikës, Gjeneral Halit Gjecaj, për shkak të një sëmundje të rëndë.  

Kanë qenë familjarët e të ndjerit ata të cilët kanë njoftuar humbjen e njeriut të tyre të dashur.  

Homazhet do të zhvillohet nesër, e mërkurë 8 mars, prej orës 08:00 te ambientet e 'Alba 2000', Rruga e Dibrës. 

Ndërsa varrimi do të bëhet në orën 13:00 në varrezat e Sharrës. 

Halit Gjecaj ka qenë një prej personaliteteve më të larta të ushtrisë shqiptare dhe ka mbajtur funksione të rëndësishme drejtuese në Forcat e Armatosura dhe Gardën e Republikës. 

Kush ishte Halit Gjecaj
Halit Myftar Gjeçi lindi më 25 tetor të vitit 1943, në Bajram-Curri të Tropojës dhe banon në Tiranë. Ai ka këtë arsimim: Në vitet 1958-1962 ka kryer Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë; në vitet 1962-1964, ka kryer Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve në Tiranë; në vitet 1973-1975, ka kryer Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm “Mehmet Shehu” në Tiranë. 

Ka patur këtë eksperiencë pune: 

Në vitet 1964-1966, komandant baterie drejtimi në Bazën Ushtarake Detare në Lezhë; 1966-1969, shef i zbulimit në Regjimentin e Artilerisë Tokësore në Tiranë; 1969-1971, zëvendës dekan ushtarak në Universitetin Shtetëror Bujqësor në Kamzë; 1971-1973, komandant grupi artilerie Tiranë; 1976-1977, komandant grupi artilerienë Lushnje-Shijak; 1977-1978, shef i artilerisë së Brigadës së Këmbësorisë Kavajë; 1978-1983, zëvendësshefi artilerisë së Korpusit të Tiranës; 1983-1989, shef i artilerisë tokësore të Divizionit të Laçit; 1989-1991, shef i artilerisë së Rezervës së Komandës së Përgjithshme në Elbasan; 1991-1992, pedagog në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm Tiranë; 1992-1997, komandant i Gardës së Republikës Tiranë; 1997-1998, në dispozicion të Ministrisë së Rendit Publik; në vitin 1998 nxirret në lirim; në vitet 2006-2009 kancelar në Akademinë e Policisë në Tiranë. 

Kishte këto kualifikime: Në vitin 1995, kurs i shkurtër për planëzimin në Stamboll; në vitin 1995, kurs kualifikimi në Kolegjin e Mbrojtjes në Tiranë; në vitin 1996, kurs kualifikimi i NATO-s, Bruksel. 

Ndërsa më 23 janar të vitit 1994, me dekret të Presidentit të Republikës merr gradën e gjeneralit.