Shkarkimi i prokurores Gardner do jetë një goditje e fortë kundër Soros

Ish-prokurori dhe analisti amerikan, Jim Nelles deklaroi sot se shkarkimi i prokurores Kim Gardner do ishte një goditje e fortë kundër miliarderit majtist, George Soros. Po kush është Gardner dhe përse kërkohet shkarkimi i saj?

FOX NEWS

Prokurori i Përgjithshëm i shtetit Missouri në SHBA, Andrew Bailey, ka depozituar një padí në gjykatë për shkarkimin e Prokurores së Qarkut të St. Louis, Kimberly Gardner, pasi ajo refuzoi t’i përgjigjej thirrjes së tij për të dhënë dorëheqjen.

Republikani Bailey e akuzon Gardnerin, prokurore e mbështetur nga George Soros, për vite “neglizhence të qëllimshme”, duke thënë se ajo dështoi në ndjekjen e çështjeve të paraqitura nga Departamenti i Policisë i St. Louis.

St. Louis ka shkallën më të lartë të vrasjeve, sipas World Population Review. Të dhënat më të fundit të policisë tregojnë se këtë vit St. Louis ka pasur 27 vrasje.

Gardner, demokrate, u zgjodh për herë të parë më 2016 me përkrahjen e një komiteti aksioni politik të financuar nga Soros. Si shumë të tjerë të ashtuquajtur prokurorë të Sorosit, ajo është akuzuar për dhënie përparësi drejtësisë sociale në vend që të vërë kriminelët para përgjegjësisë.

Në Missouri, ligji nuk lejon që një prokuror të akuzohet apo shkarkohet nga guvernatori, siç ndodh në shtete të tjera. Mënyra e vetme për shkarkim është përmes gjykatave. Ka pasur përpjekje nga ligjvënësit e shtetit për të ndryshuar ligjin në mënyrë që guvernatori të jetë në gjendje të shkarkojë e emërojë prokurorë në raste të caktuara. 

Në Florida, guvernatori Ron DeSantis pezulloi prokurorin e shtetit Andrew Warren, po ashtu i përkrahur nga Soros, për neglizhencë në detyrë dhe mund ta bëjë sërish, pasi ligji i shtetit ia jep kompetencën.

Jo të gjitha shtetet ia japin këtë fuqi guvernatorit, pasi në shumë prej tyre prokurorët zgjidhen nga votuesit dhe përgjigjen vetëm para tyre, ndërsa në shtete të tjera, si në Florida, ka një miks procedurash. 26 shtete i japin fuqi ekzekutive shkarkimi guvernatorit dhe në 14 prej tyre guvernatori as nuk duhet të japë ndonjë arsye specifike.

Në shtete si North Carolina, Ohio, Arizona e California, zyrtarët shkarkohen pas procesit gjyqësor ose pas një seance dëgjimore në gjyq. Vitin e kaluar, votuesit në San Francisco hoqën Prokurorin Distriktual Chesa Boudin, i përkrahur nga Soros.

Përveç Prokurorit të Përgjithshëm Bailey, Gardner është sulmuar ashpër nga votuesit që e akuzojnë për rritje galopante të krimit, sidomos pas daljes së një videoje online ku një i pastrehë u qëllua me armë zjarri në mes të ditës në Missouri City.