SYRI TV/ Berat, rikthehet në qeli studenti që qëlloi për vdekje hajdutin e pulave

Mes debatesh është zhvilluar seanca e masës së sigurisë në Gjykatën e Beratit për 22-vjeçarin Bjorsi Shushari, i cili akuzohet se qëlloi për vdekje 52-vjeçarin që kishte hyrë në shtëpi për të vjedhur. Avokati i të riut kërkoi masë më të lehtë sigurie me argumentin se klienti i tij ka reaguar në kushtet e vetëmbrojtjes, por kërkesa është hedhur poshtë nga gjykata që dha masën e sigurisë arrest në burg.

Nga SYRI TV

Është rikthyer sërish në qeli 22-vjeçari nga Kuçova, Bjorsi Shushari, i akuzuar se qëlloi për vdekje hajdutin që i hyri në banesë për të vjedhur.

Në seancën e masës së sigurisë në Gjykatën e Beratit  nuk kanë munguar debatet mes avokatit të studentit dhe prokurorisë për klasifikimin e veprës penale.

Mbrojtja e përfaqësuar nga avokati Ramiz Oboni ka kërkuar masë më të lehtë sigurie duke e argumentuar se  22-vjeçari ka qenë në kushtet e një vetëmbrojtje të nevojshme duke shtuar se klienti i tij ishte trembur kur kishte parë hajdutin në shtëpi dhe ishte përleshur me të. Por kjo është kundërshtuar nga prokuroria e cila ka kërkuar masë arrest me burg me akuzën e vrasjes së tejkalimit të vetëmbrojtjes.

Ngjarja për të cilën u arrestua i riu ndodhi 7 ditë më parë, kur 52-vjeçari Lefter Brisku,teksa kishte hyrë në ambientet e banesës së familjes Shushari kishte tentuar të vidhte disa pula, por u përball me të zotin e shtëpisë, duke rënë pre e dhunës së 22-vjeçarit Bjorsi Shushari.

Brisku qëndroi në spitalin e Traumës ku pas shtatë ditësh gjeti vdekjen.

Gazetar: A.Hajdari

Pamje: Syri TV

Montazhi: L.Kotri