Policia gjen 700 kg duhan në një magazinë në Shkodër, prangosen tre persona

Tre persona janë arrestuar nga policia në Shkodër pasi kishin magazinuar 42 thasë me peshë totale rreth 700 kg duhan të grirë.

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër, si rezultat i një hetimi disamujor, të realizuar me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, me qëllim goditjen e shitje së kundërligjshme të duhanit të grirë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Tobacco”.

Në kuadër të operacionit “Tobacco” u arrestuan në flagrancë shtetasit Kujtim Guri, Hamza Gemi, Avni Guri.   

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient që përdorej si magazinë nga 3 shtetasit e arrestuar, gjetën dhe sekuestruan 42 thasë me peshë totale rreth 700 kg duhan të grirë që mbahej me qëllim tregtimin në kundërshtim me rregullat për shitjen e duhanit," njoftoi policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë" dhe "Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabande", të kryera në bashkëpunim.