SYRI TV/ Letra e Luftar Reçit shkakton ‘stuhi’ në gjykatë, reagon Shullazi
Luftar Reçi i drejtohet me letër gjykatës, duke sqaruar se ballafaqimi i tij me Emiljano Shullazin dhe grupi e akuzuar për 3 vrasje në vitin 2005, është si vajtja e qengjit në tufën e ujqërve. Me këtë argument, ai shmangu edhe njëherë ballafaqimin me personat që çoi në burg me dëshminë e tij. Kjo krijoi debate dhe akuza të forta në sallën e Gjykatës së Posaçme mes të pandehurve, trupës gjykuese dhe përfaqësuesit të prokurorisë
SYRI TV
“Nëse shoqërohem për t’u vënë përballë tyre në gjykatë, do të jem si qengji mes ujqërve”.
Kjo është një pjesë e letrës së bashkëpunëtorit të drejtësisë Luftar Reçi nisur nga burgu i Drenovës, Gjykatës së Posaçme. Ai do duhej të përballej me Emiljano Shullazin, Viktor Ymerin, Endrit Taullaun dhe Indrit Rusin për vrasjen e Klodian Saliut, Vajdin Lames e Artan Arsit në vitin 2005.
“Nuk kam më fuqi fizike dhe shëndetësore të paraqitem në gjykatë. E kam bërë shumë herë, dhe të paktën në 5 raste, seancat e ballafaqimit kanë dështuar jo për fajin tim. Jam gati të dëshmoj me Skype, le të jenë të pranishëm avokatët dhe 2 ose 3 gazetarë”.
Prokurorja Elida Kaçkini përmendi rrezikun e shoqërimit të Reçit në gjykatë, por nuk specifikoi nëse kishte të bënte me gjendjen shëndetësore apo sigurinë fizike. Kjo nxiti reagimin e fortë dhe me akuza të avokatëve dhe të të pandehurve që qëndronin në kafazin prej qelqi.
Vetë Emiljano Shullazi tregoi pse ishte e rëndësishme prezenca e Luftar Reçit në sallën e gjyqit, ndërsa nuk kurseu as prokuroren që përfaqëson akuzën.
“Që kur jam arrestuar, kam kërkuar ballafaqim me Luftar Reçin. Përgjigja ka qenë “do ballafaqoheni në gjykatë”. Ja ku jemi, qëndrojmë përballë jush dhe bashkëpunëtori nuk është. Dua ta shikoj në sy kur të flasë për ngjarjen. Ju prokurore s’e di nëse e njihni dosjen, sepse as nuk jeni ju që keni firmosur arrestimin tim, as nuk i keni nisur ju hetimet”.
Gjykata vendosi që më 20 mars në orën 09:30, të bëhet shoqërimi i detyrueshëm i Luftar Reçit në gjykatë, si dhe thirrjen e 10 dëshmitarëve, teksa këtë të martë u regjistrua dështimi i tetë radhazi i ballafaqimit.