Vinçat kinezë shqetësojnë SHBA, Pentagoni: Përgjojnë portet amerikane
Jo vetëm satelitët, balonat aerostatike dhe TikTok-u. Ajo që po shqetëson autoritetet amerikane për aktivitetet kineze të spiunazhit tani janë edhe vinçat gjigantë ‘Made in China’, të pranishëm në portet e vendit, përfshirë ato të përdorura nga Pentagoni.
Kështu thuhet në një hetim të gazetës prestigjioze ‘Wall Street Journal’, sipas të cilës zyrtarët amerikanë janë gjithnjë e më shumë të shqetësuar nga fakti se këta vinça, të prodhuar nga kompania shtetërore kineze ‘ZPMC’, mund të përbëjnë për Pekinin një instrument spiunazhi të fshehur në ditën e Diellit.
‘Wall Street Journal’ citon disa funksionarë të sigurisë kombëtare dhe Pentagonit, të cilët kanë ruajtur anonimatin, por që i kanë krahasuar vinçat me një kalë Troje për shkak të sensorëve të sofistikuar me të cilët ata janë të pajisur për të monitoruar kontejnerët.
Muajin e kaluar, zbulimi i një balone-spiune kineze në qiejt e Shteteve të Bashkuara acaroi më tej marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Pekinit. Ngjarja çoi gjithashtu në anulimin e vizitës së planifikuar të sekretarit të Shtetit, Antony Blinken në kryeqytetin kinez.
Balona spiune u rrëzua nga Forcat Ajrore Amerikane dhe ngriti shqetësimin në radhët e agjencive të sigurisë për intensifikimin dhe zhvillimin e programeve kineze të përgjimit.