‘Shkëlqimi dhe rënia e blegtorisë’, Resuli: Fermerët shqiptarë pa mbështetje, subvencioni është i pamjaftueshëm
Teksa qeveria propagandon si të suksesshme skemën e subvencionimit dhe mbështetjen e fermerëve nga skemat ndërkombëtare, situata duket ndryshe.
Fondet e vendosura jo vetëm që janë të pamjaftueshme, por janë në përpjesëtim të zhdrejtë me peshën që zë sektori në ekonomi
Në një postim në rrjetin social "Facebook", kreu i Shoqatës së Mbrojtjes së Konsumatorit, Ervin Resuli, është shprehur se fermerët shqiptarë janë të zhgënjyer nga buxheti i dedikuar dhe subvencioni është i pamjaftueshëm, pasi nuk ndihmon në formalizmin e këtij sektori.
Shkëlqimi dhe rënia e blegtorisë, pse po zëvendësohen me qumësht pluhur ?
INSTAT?Referuar shifrave zyrtare, 5 vitet e fundit numri i krerëve të blegtorisë ka rënë ndjeshëm. Konkretisht, në 2017 në vend numëroheshin 349 mijë lopë qumështore . Në fund të 2021 numri i tyre është pakësuar në 71 mijë krerë .
Fieri, qarku me përqendrimin më të lartë të blegtorisë, po përballet me rënien më të madhe të numrit të krerëve. Në fund të 2021 në Fier numërohen 38 mijë e 600 lopë nga 47 mijë e 700 që kanë qenë në 2018.
Shqipëria jo vetëm që nuk eksporton qumësht në vendet e BE-së, por shënoi rritje të importit të këtij produkti kryesisht nga Serbia. Nga të dhëna nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave që tregojnë se në 2021, importi i qumështit nga Serbia u rrit me mbi 5 milionë litra krahasuar me 2020-n, ose me 310 %.
Blegtorët shqiptarë pa mbështetje nga skemat kombëtare e të zhgënjyer, të fundit në rajon për nga buxheti i dedikuar. Pavarësisht se deklarohet prioritet nga qeveria, ajo mbetet pas, sa i përket investimit në skemën direkte nga buxheti i shtetit në ndihmë të blegtorëve. Subvencioni është i pamjaftueshëm, nuk ndihmon në formalizmin e këtij sektori,nuk e rrit atë ,është përjashtues dhe diskriminues.
Fondet e vendosura jo vetëm që janë të pamjaftueshme, por janë në përpjesëtim të zhdrejtë me peshën që zë sektori në ekonomi, pasi bujqësia dhe blegtoria kontribuon në rreth 20 % në prodhimin bruto dhe merr nga buxheti vetëm 0.7 % të tij.