Nga sot Shqipëria me dy qytetarë dixhitalë, njëri i Berishës, tjetri i Amerikanëve

Si një rrufe në qiell të hapur për besueshmërinë e qeverisë së Edi Ramës ishte njoftimi i sotëm i DEA-s që ka vendosur në dispozicion të qytetarëve shqiptarë një linjë sinjalizmi direkte për trafikun e drogës dhe pastrimin e parave në Shqipëri.

'Agjencia e SHBA Kundër Narkotikëve njofton një linjë të re sinjalizimi për Shqipërinë. DEA nxit këdo që ka informacion në lidhje me trafikun e drogës ose pastrimin e të ardhurave nga droga ta ndajë informacionin me personelin e DEA-s në WhatsApp në: +1 571 502-7846 ose me email në: albania_DEA_tipline@state.gov.

Të gjitha të dhënat do të mbahen të fshehta. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të punojnë me Shqipërinë për të luftuar trafikun e drogës dhe pastrimin e parave të lidhura me to, për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët’, thuhet në njoftimin e bërë publik ditën e sotme, ambasada e SHBA në Tiranë.

Një veprim të tillë Agjencia Kundër Narkotikëve e SHBA-së e ka bërë vetëm në Kolumbi, ku besueshmëria ndaj institucioneve qeverisëse është zero.

E njëson DEA ka vepruar edhe në Shqipëri, pasi për ta besueshmëria e institucioneve duket se ka rënë në zero.

Ky njoftim vjen pas shkarkimit në mënyrë të papritur të drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano dhe kreut të SHISH, Helidon Bendo që u zëvendësuan me njerëz të afërt të Ramës.

Ky vendim i DEA është komentuar gjerësisht gjatë ditës si një goditje për qeverinë e Edi Ramës.

Duke komentuar këtë vendim të DEA-s, gazetarja Erla Mëhilli shkruan se, tani në Shqipëri do të ketë dy qytetarë dixhitalë, njëri i Sali Berishës e tjetri i Amerikanëve.