Falsifikimi i autorizimit për Alibeajn/ Saraçi: Skenar për të lënë PD-në jashtë zgjedhjeve
Kryeredaktori i Syri Tv, Romir Saraçi renditi faktet pse autorizimi i Lulzim Bashës për Enkelejd Alibeajn është i falsifikuar.
Në Task Force me gazetaren Sonila Meço, Saraçi tha se me Lulzim Bashën në krye ka një skenar për të lënë Partinë Demokratike jashtë zgjedhjeve të 14 majit.
"Kjo dëshmon faktin, që në krye të autorizimit thuhet "unë Lulzim Basha autorizoj Enkelejd Alibeajn dhe Gazment Bardhin", faktohet skenari i pengmarrjes së PD. Që Lulzim Basha, tre ditë para dorëheqjes së tij e ka ditur se cili do të jetë skenari dhe si do të përfundojë PD deri në zgjedhje. Nga 18 marsi 2022 deri më sot kemi pafund procese, zhvillime në PD dhe institucionet e drejtësisë. Lulzim Basha e paska ditur vendimin e Gjykatës së Apelit. Por unë dyshoj që është e falsifikuar. Flasim për autorizim që nuk ka as elementët më minimale. Nuk ka një numër protokolli. Nëse flasim për datën e ka të vendosur poshtë te vula. Shkresa e z.Berisha dje kishte numër protokolli në kokë, kishte një datë, kishte siglën e PD, parashtronte pikat dhe iu drejtua KQZ. Kurse për autorizimin e Lulzim Bashës nuk ka një datë, nuk ka një numër protokolli. Një shkresë pa numër protokolli. Ky është një element. Por ajo që është fakt, është vërtetësia e këtij dokumenti.
Unë dyshoj që ky skenar është bërë për të lënë jashtë siglën e PD. Që logoja e PD të mos jetë pjesë e zgjedhjeve lokale. Duke parë 6 marsin, jemi fiks 1 vit më parë. Për aq bashki sa ishin nuk arritën të plotësonin numrin e komisionerëve. Morën një rezultat qesharak ndërkohë që PD ishte ende me vulë me Bashën aty, me grupin e deputetëve", u shpreh Saraçi.
Autorizimi i Lulzim Bashës që emëron Enkelejd Alibeajn si kryetar është i falsifikuar duke iu vendosur si datë 18 marsi 2022, 3 ditë para dorëheqjes, ose është konfirmim se Lulzim Basha e ka pasur të qartë që një vit më parë skenarin se si sigla e PD do të mbahej peng për zgjedhjet lokale, duke ditur që atëherë vendimin e Gjykatës së Apelit, vendimet e institucioneve në varësi të Ramës si dhe hamendësimin se demokratët nuk do të mund të organizoheshin dhe të zgjidhnin kryetar të ri që prej largimit të tij.