Ristani: Autorizimi i Bashës nuk ka vlerë, ai nuk është testament

Për ish-sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, Arben Ristani autorizimi i lëshuar nga Lulzim Basha nuk ka vlerë, për shkak se ai është dorëhequr.

Duke folur në ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, Arben Ristani u shpreh se, autorizimi i lëshuar ndaj Enkelejd Alibeajt, nuk është një testament që mund të ketë fuqi edhe pas vdekjes.

‘Logjikisht nuk mund ta kishte lëshuar këtë lloj autorizimi para 1 viti. Por ky autorizim nuk mund të jetë një testament. Që nga momenti që Basha ka dhënë dorëheqjen të gjitha veprimet e tij të mëvonshme nuk kanë vlerë. 

Por unë këmbëngul, që edhe nëse e ka lëshuar, është diçka që nuk ka fuqi pasi zotëria ka dhënë dorëheqjen. Thelbi i këtij problemi është përplasja mes autokratit Rama dhe sistemit demokratik që gjoja kemi në vend’, u shpreh Ristani në SYRI TV.

Duke komentuar vendimin skandaloz të Apelit që i jep një goditje sistemit të pluralizmit shqiptar, Ristani u shpreh se data 3 mars është lënë qëllimisht për tu dhënë vendimi, që të mos kishte kohë për të reaguar, pasi në 6 mars duhej bërë regjistrimi në KQZ për zgjedhjet.

‘Edhe sot që po flasim ende nuk kemi një vendim të arsyetuar të Apelit. Nuk mundej që ky vendim të lihej në 3 mars, kur në 6 mars ishte afati i fundit i regjistrimit në zgjedhje. Është lënë me qëllim në këtë datë, për të mos pasur mundësi për ta rrëzuar’, u shpreh ndër të tjera Arben Ristani në SYRI TV.