SYRI TV/ Pikëpyetje të reja për aeroportin e Vlorës, kompania turke tërhiqet nga projekti
Kompania turke Yda Group është tërhequr nga projekti i qeverise shqiptare për ndërtimin e aeroportit të Vlorës dhe i ka shitur aksionet e saj me një vlerë shumë miminale prej 4450 eurosh. Tërheqja e saj në mes të projektit dhe shitja e aksioneve me një çmim shumë të ulët, kur projekti ka një vlerë të lartë investimi prej 104 milionë eurosh, ngre pikëpyetje të reja për projektin.
Nga SYRI TV
Njëra nga kompanitë fituese për ndërtimin e aeroportit të Vlorës në fshatin Akërni pranë lagunës së Nartës është tërhequr nga projekti pas 18 muajsh.
E teksa makineritë e rënda kanë nisur me ndërtimin, kjo kompani lë përgjysëm punimet dhe i shet aksionet e saj me një çmim minimal, ndërkohë që projekti kap një vlerë të lartë investimi.
E teksa aeroporti i Vlorës kushton 104 milionë euro, kompania turke Yda Group, sipas rrjetit investigativ BIRN dhe Zërit të Amerikës, i shet aksionet me një vlerë miminale prej 4450 eurosh.
Aksionet me këtë çmim u blenë nga kompania tjetër fituese e tenderit, Mabetex Group në pronësi të Behgjet Pacollit.
Tërheqja e kompanisë dhe shitja me këtë çmim ngre pikepyetje të reja për projektin, përveç shqetësimeve mjedisore, thotë Zëri i Amerikës.
Përfaqësuesi i kompanisë koncesionare, Valon Lluka, i tha BIRN se kompania turke u largua nga projekti pasi nuk iu përgjigj investimit të premtuar, por shtoi se Mabetex Group është i zotuar për të përmbushur detyrimet kontraktuale.
Ndërsa kompania turke, Yda Group nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi arsyet e largimit nga projekti.
Projekti i qeverisë shqiptare u kundërshtua nga organizatat mjedisore vendase dhe ato ndërkombëtare, pasi shtrihej brenda zonës së mbrojtur Vjosë- Nartë, një strehë e rëndësishme për flamingot, pelikanët dhe qindra zogj shtegtarë.
Por me një vendim të marrë në tetor 2022, qeveria i hoqi sipërfaqes së planifikuar të aeroportit statusin e mbrojtjes duke i hapur kështu rrugë projektit miliona eurosh për aeroportin e Vlorës.
Vetë studimet e qeverisë e vlerësuan aeroportin e Vlorës si projekt të paleverdisshëm nga ana ekonomike, me risqe të larta dhe normë të ulët të kthimit të investimit.