“Epopeja e UÇK-së, shtylla më e fortë e ngritjes së Kosovës”
Krerët e shtetit në seancën solemne për nder të Epopesë së UÇK-së kanë kujtuar sakrificën e familjes Jashari dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh se e kaluara duhet të vazhdohet të mbahet mend gjithmonë, në të kundërtën kthehemi aty ku kemi qenë.
“Sikurse dëshmohet në histori një çerek shekull nuk është shumë i gjatë në jetën e popujve dhe shekujve, mirëpo ai mund të tringëlloj i gjatë nga pikëvështrimi kohor. Prandaj, është shumë e rëndësishme që ta mbajmë gjallë kujtesën për rrugën tonë”.
“Nuk thuhet kot se popujt të cilët e harrojnë historinë e tyre rrezikojnë t’i nënshtrohen përsëritjes së saj. Prandaj, ne duhet e do ta mbajmë të gjallë kujtesën për sakrificën e familjes Jashari dhe për të gjithë luftën e UÇK-së, të cilët ata e bënë për vendin”.
E para e shtetit, shtoi se vetëm kështu “shtresohet” rrëfimi ynë për vetveten.
“Ne duhet ta ruajmë kujtesën për rezistencën e kësaj familje, të prirë nga komandanti legjendar Adem Jashari por edhe sakrificën e një populli të tërë, si pjesë e historisë sonë së dhimbshme. Ngase, duke i kujtuar ata ne e shtresojmë rrëfimin tonë për vetveten dhe për rrugën të cilën e kemi kaluar deri në krijimin e shtetit të lirë e të pavarur të Kosovës”.
Sipas Osmanit, liria u fitua sepse u Kosova e njohu peshën e saj për shekuj, duke u përballur me mungesë të saj.
“Por, ne e fituam atë edhe pse në rrethana të vështira historike ne qëndruam dhe përballuam dhimbjen e luftuam të bindur në fitoren përfundimtare. Lirinë sikurse dihet e fitojnë ato popuj e vende që besojnë në to dhe që janë të gatshme t’i bëjnë ballë secilës sakrificë për ta arritur këtë. Ne që e kemi provuar shtypjen e dimë më së miri këtë”.
Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjuca tha se një ngjarje të tillë me të cilën është përballur Kosova nuk e njeh as historia e botës.
“Lufta e Prekazit e sakrifica e Jasharëve është ngjarje e pashembullt jo vetëm në histrorinë tonë kombëtare. Një të ngjashme nuk e njeh as historia e botës.
“Familja e gjerë Jashari, tre breza në kullën e tyre shekullore në tokën e lashtë të stërgjyshërve nga baci Shaban e deri tek Blerimi i vogël e shpallën lirinë e popullinë tonë dhe e mbrojtën atë deri në flijimin e tyre të plotë”.
Konjufca u shpreh se marsi vazhdon të jetë muaji kur për Kosovën u bë një kthesë e re.
“Lufta ishte aq legjendarë, sakrifica aq sublime, kurse vetmohimi aq tronditës ashtu që kombi shqiptar kaloi në një dimension tjetër të vetëdijes, kurse bota u zhvendos nga orbita e vetë politike. Ky është momenti kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, u bë frymë dhe e përfshijti të gjithë popullin tonë. 5,6 dhe 7 marsi i vitit 1998 është kthesa kur sakrifica bëhet epope”.