KAFE SHQETO/ Përplasje e ashpër mes përfaqësueses së LGBT dhe Linda Panos: Lini rehat fëmijët tanë!
Numri i fëmijëve që kërkojnë të bëhen pjesë e komunitetit LGBT po rritet në mënyrë të shpejtë e shumë të frikshme. Kështu thonë rezultatet e studimit më të fundit të zhvilluar nga “Gallup”.
Të ftuar në 'Kafe Shqeto' në Syri TV për të diskutuar këto të dhëna shqetësuese ishin Linda Pano nga koalicioni shqiptar “Pro familjes dhe jetës” dhe Luana Myrto transgjinore. Pano teksa akuzoi grupimin LGBT se po bën një fushatë propagandistike, i kërkoi përfaqësueses së tyre në studio, që të rrinë larg nga fëmijët. Kjo rriti edhe tonet e debatit.
“Është grupimi që kërkon të drejtat në emër të dashurisë dhe në emër të të drejtave, është grupimi që bullizon të paktën në Shqipëri, më fort se sa çdo grupim tjetër dhe nuk bullizon thjesht personat me të cilët debaton, por bullizon edhe familjarët e tyre, dhe për këtë gjë mund të të jap shembullin. Para 10 ditësh në një emision me Xheni Karaj, ndërkohë që diskutonim idenë që shqiptarët nuk janë homofobë, Karaj shpërtheu duke më thënë që 'ti nuk duhet të jesh në një debat të tillë sepse burri yt ka probleme me diskriminimin me komisionerin’. Këta nuk merren vetëm me individin, por edhe me familjarët e individit. Është si koha e komunizmit, sepse në atë kohë thonin ‘në emër të partisë je i arrestuar për agjitacion dhe propagandë’, tani nuk ka më në emër të partisë ka në emër të komisionierit, dhe gjithë familjarët shkonin syrgjynoseshin në fshatrat e Lushnjës apo në fshatrat e veriut sepse ishin familjarët e personit që kishte probleme politike. Kështu që, ky grupim po vepron në të njëjtën mënyrë si në kohën e komunizimit, ku në emër të dashurisë dhe tolerancës, godasin dhe ndjekin çdo person që mendon ndryshe prej tyre. Dhe nuk është e vërtetë që nuk merren me fëmijët, merren, madje merren shumë. Kur kemi debatuar për këto çështje, teoria ka qenë se ‘na duhet që të edukojmë fëmijët që të jenë më tolerantë’. Fëmijët, na i lini rehat, edukoni fëmijët tuaj nëse doni, nëse mund t’i keni, por fëmijët tanë na i lini rehat!”, u shpreh Pano.
Menjëherë pas këtij fjalimi nga zonja Pano, transgjinorja Myrto, pati një reagim të zemëruar teksa me tone të ashpra theksoi se ky grupim nuk po imponon asgjë.
Myrto: Ne nuk jemi duke u mësuar fëmijëve se si të bëhen gej, jemi duke i mësuar të gjithëve se në komunitet ekziston dhe ky, dhe ky, dhe ky, dhe ti duhet ta respektosh. Ne nuk jemi duke imponuar me forcë, ashtu si feja është imponuar këto tre mijë vjet në shoqërinë tonë. Paganizmi mendonte ndryshe për çështjen e orientimit dhe mënyrën e të dashuruarit, feja mendon ndryshe, shoqëria evoluon. Pse perëndimi po shkëputet nga feja dhe propaganda??
Pano: S’është e vërtetë fare.
Myrto: Si është futur krishtërimi? Si është pushtuar Afrika? Domethënë ‘o pushka o krishterimi’... të gjithë ne e dimë historinë, kurse ne nuk është se po dhunojmë nuk po themi ‘ose këtë ose atë’. Ne thjesht po themi 'respekto të drejtat që janë në Kushtetutën e çdo shteti'. Por kush jeni ju të i jepni një definicion moralit, domethënë kush ta ka dhënë licensën ty në tokë? Të dha Zoti vulën dhe firmën, që del me verdikte përfundimtare dhe na thua që kjo qenka e moralshme dhe kjo qenka e pamoralshme?!