Fiton sërish zgjedhjet, kryeministrja proukrainase e Estonisë, Kaja Kallas

Tallin, Estoni - Partia e Reformës së qendrës së djathtë e kryeministres Kaja Kallas, një nga mbështetëset më të hapura në Evropë të Ukrainës, fitoi me shumicë dërrmuese zgjedhjet e përgjithshme të vendit baltik, ndërsa një sfidues populist i ekstremit të djathtë humbi vende në një votim që u fokusua mbi sigurinë kombëtare dhe ekonominë.

Shifrat paraprake nga një numërim i plotë i votave treguan se Partia Reformuese, partneri kryesor në qeverinë e koalicionit tripartiak që po largohet, mori 31.2% të votave – shumica më e madhe në zgjedhjet e së dielës.

Kjo përkthehet në 37 vende në Parlamentin 101-vendëshor të Estonisë, ose Riigikogu, një rritje prej tre vendesh nga zgjedhjet e 2019-ës.

"Ky rezultat, i cili nuk është ende përfundimtar, do të na japë një mandat të fortë për të krijuar një qeveri të mirë," u tha Kallas kolegëve të saj të partisë dhe mbështetësve të gëzuar në një hotel në kryeqytet, Talin.

Kallas, kryeministre që nga viti 2021, u përball me një sfidë nga partia populiste e ekstremit të djathtë EKRE, e cila kërkon të kufizojë ekspozimin e vendit baltik ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë dhe fajëson qeverinë aktuale për normën e lartë të inflacionit të Estonisë.