Ëndrra në realitet: ‘Kasollja’ në geton braziliane fiton çmimin e shtëpisë së vitit
Në pamje të parë, është një shtëpi si dhjetëra të tjera në favelat, lagjet geto të mbushura me njerëz në Brazilit. Por, banesa në dukje modeste prej 66 metrash katrorë, me muret e saj me tulla të ekspozuara, sapo është njohur si "Shtëpia e Vitit" në një konkurs ndërkombëtar arkitekture.
Shtëpia e nderuar nga uebsajti i specializuar ArchDaily i përket Kdu dos Anjos, një artisti 32-vjeçar që jeton në favelën e zhurmshme Aglomerado da Serra, në fund të një kodre në skajin e qytetit juglindor të Belo Horizonte.
Struktura dykatëshe mposhti disa konkurrente më imponuese nga India, Meksika, Vietnami dhe Gjermania.
“Jam shumë krenar që shtëpia ime fitoi këtë çmim, sepse shumica e lajmeve për getot flasin për dhunën dhe shtëpitë e shkatërruara nga rrëshqitjet e dheut”, tha Kdu dos Anjos. "Sot, shtëpia ime është në krye të botës!"
Detajet e projektit
Shtëpia, e ndërtuar në një sipërfaqe të vogël të blerë nga dos Anjos në vitin 2017, është e ajrosur mirë dhe gëzon dritë të bollshme natyrore; ajo ka dritare horizontale dhe një tarracë të madhe.
Një ëndërr fëmijërie
Projekti ishte vepër e kolektivit të arkitekturës Levante, e cila bën punë me kosto të ulët në favela.
Nga jashtë, shtëpia ngjan me fqinjet e saj, por ajo përfshin disa veçori që e bëjnë atë më të fortë dhe më të respektueshme për mjedisin, veçanërisht në "vëmendjen ndaj ndriçimit dhe ajrosjes", tha arkitekti Fernando Maculan, drejtuesi i projektit.
Një ndryshim i dukshëm me shtëpitë e afërta është në rregullimin e tullave, të cilat vendosen horizontalisht - jo vertikalisht - dhe në radhë që shtojnë soliditetin dhe përmirëson izolimin.
Projekti zgjati tetë muaj - dhe, natyrisht, shumë punë.
"Ustallarët ishin të zemëruar sepse mendonin se vendosja e tullave në këtë mënyrë kërkonte shumë kohë," tha Maculan.
"Dhe ne patëm shumë vështirësi për të ngjitur materialet në shkallë - është shtëpia e fundit në rrugicë dhe unë duhej të paguaja shumë punëtorët që t'i mbanin," tha ai.
Rrugët e ngushta dhe të përdredhura në favela janë të vështira për t;u kaluar nga automjetet.
E gjithë puna kushtoi 150,000 reais (30,000 €) dhe investimi u shpërblye në më shumë se një mënyra: Jo vetëm që çmimi i arkitekturës solli njohje ndërkombëtare, shtëpia e ka ndihmuar dos Anjos të realizojë një ëndërr fëmijërie.
“Kur isha djalë, jetoja në një dhomë shumë modeste, të izoluar keq. Madje më ka pickuar një akrep, mua edhe motrën ime.
"Fitimi i këtij çmimi pasi kam vuajtur nga probleme të lidhura me arkitekturën përfaqëson një fitore të madhe për mua."
“Dizajni i shtëpisë përfaqëson një model konstruktiv që përdor materiale të zakonshme në lagjet e varfëra, me një zbatim dhe vëmendje adekuate ndaj ndriçimit dhe ajrosjes, duke rezultuar në një hapësirë me cilësi të madhe mjedisore”, shkruan ArchDaily në faqen e saj të internetit.