Shefi i ‘Wagner’ flet për tradhti/ A do përdoren mercenarët si 'kokë turku'?

Kreu i ushtrisë private ruse, ‘Wagner’ tha se nuk po marrin municionin e nevojshëm nga Moska, në përpjekje për të marrë kontrollin e qytetit Bakhmut në Ukrainë.

Sipas BBC, trupat ruse- forcat e rregullta dhe mercenarët e ‘Wagner’ po përpiqen të marrin nën kontroll qytetin lindor.

Por shefi i ‘Wagner’, Yevgeny Prigozhin u ankua për mungesën e municioneve, duke thënë se mund të jetë ‘burokraci e zakonshme ose tradhti’.

Marrëdhëniet mes ‘Wagner’ dhe Moskës duket se janë gjithmonë e më të tensionuara.

Grupi i mercenarëve ka dërguar dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë- disa prej tyre të rekrutuar direkt nga burgjet ruse- duke u bërë pjesë kyçe e pushtimit rus.

Në një postim, zoti Prigozhin tha se dokumentet për municionet janë dërguar që më 22 shkurt, ndërsa ato duhej të kishin mbërritur një ditë më pas.

Por shumica nuk kanë ardhur, tha ai, përpara se të sugjeronte se kjo mund të jetë e qëllimshme.

Në një tjetër video më herët, Prigozhin tha se linja e frontit e Rusisë mund të shembet plotësisht pa trupat e tij.

“Nëse ne do të tërhiqemi nga Bakhmut, e gjithë vija e frontit do të rrëzohet. Jemi ne ata që e kemi çimentuar këtë linjë”, tha ai.

Edhe muajin e kalaruar, Prigozhin u ankua se Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe Shefi i Shtabit, Valery Gerasimov nuk po i dërgojnë municione trupave të tij.

Në videon e fundit, ai tha se druhet se njerëzit e tij mund të përdoren si ‘kokë turku’ për t’u fajësuar nëse Rusia humbet ofensivën në Ukrainë.