Gjykata urdhëron shoqërimin e Luftar Reçit: Aty do jem si qingji mes ujqërve
Gjykata e Posaçme urdhëron shoqërim të detyrueshëm në gjykatë të Luftar Reçit, të penduarit të drejtësisë, në procesin ndaj të akuzuarve për vrasjen e Klodian Saliut e Vajdin Lamajt.
Seanca e sotme dështoi për shkak të mosparaqitjes së Reçit, ndërkohë që për të dytën herë gjykata rrëzoi kërkesën e SPAK për pyetjen e Reçit përmes lidhjes audio-vizive. Prokurorja në sallë tha se transportimi i Reçit nga burgu i Drenovës paraqet rrezik për të. Vetë Reçi përmes një letre nga burgu, i kërkonte gjykatës të dëshmonte përmes SKYPE.
"Nuk kam më mundësi, as fizike as shëndetësore t'u paraqitur në gjykatë. Jam paraqitur 5 herë dhe seancat nuk janë bërë jo për fajin tim. Jam gati të dëshmoj me video- konferencë, por jam me terapi të rregullt. Të jenë të pranishëm avokatët dhe 2 ose 3 gazetarë. Të më shoqëroni mua drejt gjykatës, do të jem si qingji në mes të ujqërve," ka shkruar Reçi në një letër.
Prokurorja Elida Kaçkini deklaroi: "Nuk mund të zhvillohej seanca pa praninë e tij. Dëshmia të merret përmes mënyrave audio-vizive. Në jemi paraqitur vazhdimisht dhe seancat janë shtyrë kryesisht për shkak të avokatëve të të pandehurve".
Në përfundim, gjykata shtyu seancën për në 20 mars.