Ministri i LSI-së akuza të forta Ramës: Ku janë zhdukur miliona euro të taksapaguesve?!

Pavarësisht pranisë së kryeministrit Rama, një nga ministrat e LSI-së, Lefter Koka ka lëshuar dje nga Elbasani akuza të rënda, për abuzimin dhe zhdukjen e milionave euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, vetëm në fushën e mjedisit.

Ditën e djeshme në Inaugurimin e Impiantit të Përpunimit të Mbetjeve dhe Prodhimit të Energjisë, për Qarkun Elbasan, ai ka folur ashpër duke kërkuar llogari për këto abuzime në prani të Ramës.

Në fjalën e tij ministri i LSI-së tha se mjedisi është përmirësuar ndjeshëm, por sipas tij janë me miliona euro para të buxhetit të shtetit që nuk dihet se kanë shkuar.

“Por jo vetëm kaq! Ne duhet ta themi, se janë shpërdoruar miliona Euro, para të buxhetit të shtetit, të taksapaguesve shqiptarë apo para të donatorëve, për të kryer studime fizibiliteti apo të tjera projekte, në sektorin e mjedisit. Jam i sigurt se askush nuk di të thotë se ku kanë përfunduar ato para. Për një gjë ju siguroj, vetëm në mjedisin shqiptar jo!”, deklaroi Koka.